Presidenti Meta kthen ligjin “Për taksat kombëtare”
Transmetuar më 13-01-2021, 11:06

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për taksat kombëtare, të ndryshuar”. Meta arsyeton se ky ligj ka si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare.

Sipas kreut të shtetit, ky ligj pritet të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej afërsisht 500 milionë lekësh në në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

“Projektligji i është nënshtruar shqyrtimit të propozimeve amenduese të deputetëve Vullnet Sinaj dhe Taulant Balla. Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 151/2020, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet e Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionin aktual në fuqi, si dhe interesit më të lartë, atë të ruajtjes së interesit dhe pasurisë publike dhe stabilitetit ekonomik të vendit. Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, konstatohet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare.”, shkruhet në raportin e presidencës.