Plagosja në Tiranë, nga një konflikt mes pronarëve të një pallati në ndërtim
Transmetuar më 13-01-2021, 10:25

Një konflikt mes dy ortakëve të një pallati në ndërtim në Tiranë, ka përfunduar deri në përdorimin e armëve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur njëri prej tyre, i identifikuar si Sino Llanaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të mëngjesit të kësaj të mërkure në lagjen “Ndre Mjeda”, e njohur si zona e ish-parkut të autobusëve.

Sherri ka ndodhur mes Sino Llanajt dhe ortakut të tij në biznes, Albert Allmuçës.

Nga përdorimi i armës, mbeti i plagosur biznesmeni Llanaj, si dhe një kalimtar i rastit, shtetasi Klodian Komino, të cilin një plumb rikoshetë e ka kapur në kofshë.

Mësohet se i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por gjatë sherrit, ka mbetur i plagosur me sende të forta edhe roja i objektit.

Siç raporton News 24, dy pronarët Llanaj dhe Allmuça kishin rënë dakord për ndërtimin e objektit brenda vitit 2019, por kontrata mes tyre ishte prishur dhe objekti nuk është ndërtuar, duke sjellë probleme jo vetëm mes dy biznesmenëve, por edhe me banorët.

Mësohet se edhe katër ditë më parë ka pasur një konflikt fizik mes tyre dhe banorëve, të cilët kërkojnë ndërtimin e pallatit sipas kontratës.

Ndërkohë, si pasojë e të shtënave me armë është lënduar edhe roja. Zona është e pajisur me kamera të shumta sigurie, ç’ka mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. /e.a/noa.al/