Transmetuar më 13-01-2021, 08:21

Dy ditë pas ekzekutimit të një 54-vjeçari shqiptar dhe plagosjes së dy djemve të tij në Athinë, mediat greke kanë publikuar pamje nga vendi ku ndodhi ngjarja.

Pamjet pas ngjarjes tregojnë shenjat e plumbave në xhamat e lokalit dhe njollat e gjakut. Personat që ishin në lokal dhe kalimtarët në momentin që ndodhi ngjarja janë tmerruar nga sulmi i përgjakshëm.

Plumbat i morën jetën një 54-vjeçarit  Edmond Llangozi, ndërsa mbetën të plagosur rëndë dy djemtë e tij, Anxhelo dhe Mihal Llangozi, si dhe u plagos lehtë një kameriere e lokalit, e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Klientët që ishin në lokal vrapuan me shpejtësi pas të shtënave të para, ndërsa pronari pa që një person të vdiste përpara syve të tij dhe të plagoseshin tre të tjerë.

Televizioni grek “Mega” thotë se autoritetet kanë krijuar profilin e autorit që hapi zjarr, duke qëlluar 8 herë me armë, ndërsa “ishin pesë, personat që ndoqën dy vëllezërit që hynë në kafene për t’u mbrojtur”.

Mbi të gjitha, shpresa e grupit hetimor janë kamerat e sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorit. Po ashtu, pritet dëshmia e gruas së viktimës, por edhe dy djemve të saj që ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën pas plumbave që morën.

Mediat vendase theksojnë se babai shqiptar i ka dalë përpara djemve për t’i mbrojtur nga plumbat që janë derdhur drejt tyre.

Një nga pistat ku po heton policia, është ajo e mosmarrëveshjes së familjes shqiptare me autorët e dyshuar për shkak të një borxhi financiar. /e.a/noa.al/