Transmetuar më 11-01-2021, 11:49

Moisi Habilaj shpallet në kërkim nga policia italiane, pasi dyshohet se është arratisur. Ai nuk është gjetur në banesën e tij, në adresën që kishte dhënë në Raguza të Italisë, sipas ‘Shqiptarja.com’.

Gjykata e Apelit e Katanias e dënoi përfundimisht me 15 vite e 5 muaj burg Moisi Habilajn. Ky vendim erdhi, pasi në maj, gjykata ndryshoi masën e sigurisë, duke e nxjerrë nga qelia, në "arrest shtëpie" Habilajn.

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Katanias, tashmë kanë vendosur të mos ndryshojnë vendimin e parë dhe të mos bëjnë asnjë ulje për të, por ta dënojnë me 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë siç është vendosur më 19 qershor 2019.

Moisi Habilaj u dënua nga shkalla e parë me 15 vite e 5 muaj e 10 ditë burg me akuzën e trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.

Së bashku me Habilajn u dënuan edhe Meridian Sulaj, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vincenzo Spanpinato, Angjelo Buzaka, Gianluca Pasavanti dhe Giusepe Greco.

Dy shqiptarët e tjerë Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti, kanë përfituar ulje dënimi. Sulaj u dënua me tetë vjet ndërsa Seiti, që besohet të ishte arkëtari i organizatës dhe u ekstradua në Itali pasi u arrestua në Shqipëri, gjashtë vjet e tetë muaj. Në shkallën e parë Sulaj u dënua 8.4 vite burg dhe Seiti 7.4 vite burg.

Moisi Habilaj për disa muaj, ka qenë në ‘arrest shtëpie’ në banesën e një kushëriri në territorin e San Michele di Ganzaria. Gjyqtarët, gjatë seancës së parë të procesit të apelimit, në fakt kishin pranuar kërkesën e avokatëve të tij.

Habilaj është është kushëri i largët i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin u zhvillua një proces në Shqipëri.

Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor ish-ministrin socialist vetëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe e dënoi me 3 vite shërbim prove, por avokatët e tij e apeluan dhe tashmë çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme të Apelit.

Mbi grupin Habilaj rëndojnë akuzat për veprat penale ‘trafikim i narkotikëve’ në tentativë kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal’, ‘Grup i strukturuar kriminal’, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale’.

Për këtë dosje u akuzuan si të përfshirë Moisi Habilaj, Florjan Habilaj, Armando Koçerri, Fatmir Minaj, Nezar Seiti, Sabaudin Çela, Tigrens Mezuraj, Maridjan Sulaj dhe Armando Sulaj.