Transmetuar më 11-01-2021, 11:26

Një ngarkesë me 540 mijë paketa cigaresh kontrabandë është bllokuar në degën Doganore të Hanit të Hotit në Shkodër.

Ngarkesa me paketa cigaresh u bllokua në një trajler me targa serbe dhe  nuk ishte i pajisur me pullë fiskale të Republikës së Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjeter.

“Sipas përllogaritjeve, nëse kjo sasi do të hidhej në treg, detyrimi doganor i munguar do të ishte 86.6 milonë lekë, ndërsa penaliteti 260 milionë lekë” – informon zyra e shtypit të doganës.

Trajleri së bashku me sasinë e cigareve u sekuestruan nga  Administrata Doganore në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë

Rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose te akcizës”,  të parashikuar nga neni 172 i Kodit Penal.

“Gjithashtu nga strukturat e Policisë Shkodër u shpallën në kërkim  administratori i shoqërisë “Plus International”,  shtetasi me inicialet  S.S,  si dhe babai i tij, pasi këta shtetas nga verifikimi i sistemit TIMS rezultojnë jashtë terrorit të Republikës së Shqipërisë” – thuhet në njoftimin e sotëm për shtyp.

Strukturat Doganore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  dhe Drejtorinë e Policisë Vendore, Shkodër, po kryjnë veprimet e mëtejshme hetimore.