Transmetuar më 10-01-2021, 13:52

Nisur nga situata e përmbytjeve Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Lezhë ku ka parë nga afër situatën ku ndodhet qyteti nga përmbytjet.

Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu dhe Rama kanë parë nga afër një pikë kritike, ku nga reshjet ka rrëshqitje masive dheu, duke rrezikuar disa banesa. Ndreu u shpreh se deri më tani 40 familje janë evakuar dhe nëse shiu vijon do të duhet ndërhyrje urgjente.

Rama tha se krahasuar me përmbytjet e 2010 këtë herë kanë rënë dy herë më tepër reshje, por fajësoi edhe ndërtimet pa leje.

“Të gjithë pa leje kanë ndërtuar këtu, sepse nuk lejohej. Por, në fakt, duhet me ndërhy. Kjo zonë nuk ka qenë e lejueshme për të ndërtuar. Nuk është hera e parë që ndodh kjo”.

“Përtej këtyre detajeve, Lezha e ka mbajtur shumë mirë situatën”, – u shpreh Rama.

Nisur nga situata e krijuar Pjerin Ndreu tha se “kemi evakuuar mbi 40 familje”.

“Në këtë aspekt është me rëndësi që kur vjen një intensitet i tillë, as një vend nuk ka çfarë i bën as Gjermania e as Parisi, por testi është sa shpejt tërhiqet uji”, i shpreh kryeministri.

Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Gjadër të Lezhës për të ndjekur nga afër situatën e përmbytjeve për shkak të reshjeve të shiut. Ai ka folur edhe me banorët e zonës dhe ankesat e tyre në lidhje.

Gjatë bisedës me kreun e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka folur edhe me një qytetar, që Rama e quajti demokrat të lëkundur. Nga ana tjetër, qytetari i është kthyer duke i thënë se nuk është i lëkundur, por është me ata që punon. Rama pritet të vizitojë edhe Shkodrën.

Basha sot në Shkodër

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pa nga afër zonat e përmbytura në Shkodër. Basha ishte në Obot dhe zona të tjera dhe shprehu gatishmërinë e pushtetit lokal dhe të banorëve për përballimin e situatës. Ai tha se nuk ka shkuar në Shkodër për politikë, por situata mund të menaxhohej më mirë.

Një qytetar i Shkodrës ka deklaruar përpara kryeopozitarit Lulzim Basha dhe kryebashkiakes Voltana Ademi se përmbytjet nuk vijnë nga shiu, por hidrocentrali. Sipas qytetarit, kjo po bëhen me qëllim për të mos treguar të vërtetën teksa denoncon se ndërhyrja e qeverisë edhe në këtë përmbytje ka qenë zero. Qytetari thekson se kanë ndodhur disa përmbytje nga 2013 e tutje në Shkodër, por qeveria nuk interesohet dhe bën propagandë. Basha dëgjoi nga afër shqetësimet që ngritën qytetarët e Obotit dhe zonave të tjera.

Kryemadhi shkon në Laç

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka vizituar disa tokat bujqësore të përmbytura të Laçit. Kryemadhi thotë se gjithë këtë situatë e ka sjellë mungesa e seriozitetit nga shteti, si dhe munegsa e ndihmave.

Fermeri i një toke të përmbytur i shpjegoi Kryemadhit dëmet që i kishte shkaktuar uji si dhe problemet në infrastruktrë. Kryemadhi kritikoi në përgjithësi politikën duke theksuar se politikanëve shpesh kanë mbyllur sytë për hir të stabilitetit rajonal, dhe kjo i është kthyer në një destabilitet ekonomik, prandaj duhet ndryshuar mentaliteti.

/a.m/NOA.al