Ndërron jetë dirigjenti i njohur shqiptar nga Kosova, Kristë Lekaj u largua nga jeta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Filharmonia e Kosovës, ka ngushëlluar familjen e dirigjentit.
“Jemi të prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit, Kristë Lekaj.
Përveç punës shumëvjeçare në produksionin e Radiotelevizionit të Prishtinës, Lekaj ka punuar, pas luftës, për disa vjet, edhe me Korin e Filharmonisë së Kosovës si dirigjent dhe korepetitor.
Kristë Lekaj (1935-2021) u nda nga kjo jetë për të lënë pas vetes vepra me vlerë. Me punën dhe kontributin e tij, ai ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur. Anëtarët e Filharmonisë së Kosovës do ta kujtojnë me respekt angazhimin e tij të çmuar në fushën e muzikës.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Krist Lekajt. Pastë dritë shpirti i tij!
**Biografi e shkurtër: Kristë Lekaj u lind në Shkup më 1935. Kreu Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, diplomoi në seksionin e teorisë së muzikës në Akademinë e Muzikës në Beograd. Për një kohë, disa vjet kishte qëndruar në Tiranë për të marrë mësime nga Çesk Zadeja, në fushën e kompozimit. Pas studimeve u kthye në Prizren, ku punoi si pedagog në Shkollën e Muzikës. Pas Prizrenit erdhi në Prishtinë, ku krahas punës pedagogjike në Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Muzikës, deri në pensionim, punoi në seksionin e muzikës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Ka qenë aranzhues i shumë këngëve të muzikës argëtuese si dhe dirigjent. Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, poema simfonike “Trualli betohet”, “Impresione simfonike” për orkestër, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit, “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera.”, ishte postimi i plotë nga faqja zyrtare./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd