Përvoja e tij pas infektimit me koronavirus ka qenë shumë e vështirë, por ai është shprehur se kur ishte sëmurë, kurrë nuk kishte frikë, por vetëm një shqetësim të paprovuar më parë.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka rrëfyer betejën e tij me COVID, pasi ia doli mbanë pas 12 ditëve në spital, ku ka marrë mjekim të specializuar në Athinë.
Ai ka rrëfyer për mediet greke përvojën e tij të vështirë dhe është shprehur që njerëzit duhet ta marrin seriozisht pandeminë.
"Nuk ndjeva frikë, vetëm një shqetësim të paprovuar më parë. Unë kam kaluar shumë sëmundje në jetën time, por kjo ishte një aventurë në një terren të panjohur. Kur më futën në kapsulë kisha përshtypjen se po hyja në një arkivol. Në atë moment gjeta përsëri strehë në të vërtetat që gjithmonë më kanë mbështetur në jetën time", tha ai.
Janullatos theksoi se do të ishte një gabim katastrofik të shkaktohej përçarje midis Kishës dhe Shkencës, në lidhje me situatën pandemike.
"Ata që vënë në dyshim faktet tronditëse të pandemisë, me sa duket janë prekur nga një tjetër sëmundje serioze, të identifikuar me thënien e lashtë: ‘Nuk më bind dhe nëse më bind’. Debati publik duhet të jetë krijues, ai kërkon njohuri serioze, përgjegjësi dhe maturi. Polarizimi është një formë e majisjes dhe prishjes. Unë e kuptoj zemërimin, por ne duhet të shmangim dëshpërimin".
Ndërkaq ai ka treguar se do ta bëjë vaksinën anti-COVID sipas udhëzimeve të mjekëve.
"Pështjellimi i shkaktuar nga pandemia duhet të merret seriozisht, me një frymë kritike, solidaritet, besim dhe shpresë.Të gjithë duhet të punojmë së bashku. Duke theksuar nevojën për drejtësi sociale, respekt për çdo qënie njerëzore dhe kujdes për ata që vuajnë si dhe të dobëtit. Sigurisht që unë do ta bëj vaksinën sipas udhëzimeve të mjekëve të mi", shtoi Janullatos.
Ndërsa u pyet se si ndikoi pandemia në Kishë, Janullatos shprehet: “Kisha Orthodhokse ka shmangur përpjekjet për të ndikuar kërkimet shkencore dhe nuk pozicionohet për çdo arritje shkencore që shfaqet. Shkenca dhe Kisha janë të dyja shprehje lavdërimi për Atë që është e vërteta. Nuk mendoj se ekziston një përplasje midis dogmës dhe shëndetit publik”.
Kryepeshkopi u konfirmua pozitiv me COVID më 11 nëntor të këtij viti. Ai u dërgua menjëhjerë brenda një kapsule drejt Athinës, ku qëndroi 12 ditë në spital dhe ia doli ta mposhtë sëmundjen e rrezikshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd