Firmoset marrëveshja me Maqedoninë e Veriut: Komitet i Përbashkë Peshkimi për Liqenet e Ohrit dhe Prespës
Transmetuar më 08-12-2020, 16:10

Në brigjet e Liqenit të Ohrit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hodhën një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkufitar mes dy vendeve.

Gjatë një takimi të nivelit të lartë në Strugë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Arjanit Hoxha, nënshkruan “Marrëveshjen për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në liqenet e Ohrit dhe Prespës”.

Fauna peshkore e liqeneve të Ohrit dhe Prespës është ndër më të pasurat në Evropë. Megjithatë, përdorimi dhe administrimi i qëndrueshëm i saj paraqet sfida të shumta për autoritetet dhe palët e interesit në vendet që lagen nga këto liqene.

Kjo marrëveshje përcakton angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të harmonizuar veprimet dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme burimet e përbashkëta të peshkut, ndërsa çojnë përpara përpjekjet drejt integrimit në BE.

Për këtë qëllim do të ngrihet një organ i ri dypalësh – Komiteti i Përbashkët i Peshkimit për Liqenet e Ohrit dhe Prespës.

Arritja e kësaj marrëveshjeje u bë e mundur me mbështetjen e Projektit Rajonal të GIZ "Konservimi dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në Liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës/Skadar", në partneritet me Institutin Gjerman të Peshkimit të Ujërave të Brendshme Potsdam-Sacrow (IfB), financuar nga Qeveria Gjermane përmes Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për peshkimin e brendshëm dhe bashkëpunimin ndërkufitar prej vitit 2012, një tjetër marrëveshje midis Shqipërisë dhe Malit të Zi për Liqenin e Shkodrës/Skadar është në fazën e fundit të miratimit./a.m/NOA.al