Ambasadori i Shqipërisë në Kin, Selim Belortaja thotë se para se të ndërmarrim nisma të reja, duhet të shikojmë platformat ekzistuese të liberalizimit të tregtisë, t’i respektojmë ato deri në fund, në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendeve tona, dhe pastaj çdo nismë e re, çdo tryezë e re, ku përfshihet edhe vizioni “Një brez, një rrugë”, ku përfshihet edhe nisma “17+1” Kinë-Europë Qendrore e Lindore, të gjitha këto janë instrumente që plotësojnë platformën tonë të lëvizjes së mallrave dhe investimeve pa pengesa.
Në intervistën e mëposhtme për tv shtetëror kinez CMG, z.Belortaja flet më gjatë mbi zhvillimet e fundit.
2020-a është një vit shumë i veçantë. Gjatë luftës kundër epidemisë në mbarë botën, është theksuar edhe më shumë rëndësia e bashkëpunimit shumëpalësh. A mund të jepni vlerësimin tuaj për mekanizmin “17 + 1” dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë kohë kur i gjithë njerëzimi është duke luftuar kundër sfidave të përbashkëta.
Selim Belortaja: Koha, siç thatë, është e veçantë. Jemi në kushtet e një katastrofe globale për sa i përket COVID-19, dhe vendi im është duke vuajtur edhe në këto momente në mënyrë të veçantë. Por mbledhja dhe afrimi së bashku edhe në platformën “17 + 1” është një mjet për ta kaluar sa më lehtë këtë vështirësi që kemi të gjithë, sepse afrimi dhe solidariteti janë një nga instrumentet për përballimin e përbashkët të situatës së rënduar. Pres të shkëmbejmë ide dhe mendime për bashkëpunimin tonë real në të ardhmen, si dhe të bëjmë një bilanc të asaj që kemi arritur në këto vite, që nga viti 2012 kur është krijuar nisma. Nga ana tjetër, “Bashkëpunimi 17+1” është jo vetëm një raport midis vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës, por është edhe një mundësi afrimi për vetë vendet e Europës Qendrore e Lindore, sepse ne takohemi e koordinohemi së bashku dhe shkëmbejmë ide për të marrë maksimumin e efektit nga bashkëpunimi ynë me Kinën. Për këtë duhet ta falënderojmë dyfish nismën “17+1”.
CMG: Kohët e fundit partia në pushtet në Kinë ka shpallur propozimet për zhvillimin e vendit në pesë vjetët e ardhshëm, duke e vënë theksin te modeli i ri i zhvillimit, të drejtuar nga risitë tekniko-shkencore. Ky është një ndryshim i madh i modelit të zhvillimit të Kinës. Si e vlerësoni këtë ndryshim në modelin e zhvillimit të mbështetur në risitë tekniko-shkencore?
Selim Belortaja: Unë, duke qenë në Pekin, i kam ndjekur nga afër ngjarjet kryesore politike dhe zhvillimet programore të Kinës në të ardhmen. Kam qenë në sallën e parashtrimit të bilancit të zhvillimit të Kinës për Pesëvjeçarin e 13-të dhe të planit për Pesëvjeçarin e 14-të, si edhe kam ndjekur punimet e plenumit të 5-të vetëm një muaj e ca më parë. Kështu që jam familjar me treguesit e zhvillimit të Kinës. Në fakt, e gjithë bota është e impresionuar me ritmin e lartë të zhvillimit, jo vetëm ekonomik, por edhe teknologjik të Kinës, që ka një kurbë impresionuese për të gjithë. Por ne që jemi këtu në Kinë dhe i shohim fizikisht arritjet, muzeumet, industritë, laboratorët, jemi me të vërtetë të impresionuar nga ky zhvillim spektakolar teknologjik i Kinës. Unë mendoj se fokusimi i platformës kineze të zhvillimit drejt teknologjisë së lartë dhe inovacionit, është çelësi për një zhvillim të qëndrueshëm, të shpejtë dhe të konsoliduar, dhe mendoj se është gjetja më e mirë në programet e zhvillimit të ardhshëm. Kunshani është një nga qendrat e kësaj teknologjie. Unë shpresoj që në program të kemi mundësinë që brenda Kunshanit me teknologji të zhvilluar, të vizitojmë një qendër me teknologji edhe më të zhvilluar, dhe të bëhet e qartë për të gjithë se çdo të thotë ritëm modern teknologjie kineze.
CMG: Presidenti kinez Xi Jinping ka theksuar shumë herë në veprimtaritë shumëpalëshe ndërkombëtare se zhvillimi i Kinës është i pandarë nga prosperiteti i bashkësisë ndërkombëtare e është shprehur disa herë për rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie të hapur ndaj pjesës tjetër të botës. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim të Kinës dhe çfarë ndikimi mund të sjellë integrimi i mëtejshëm i ekonomisë kineze dhe ekonomisë botërore?
Selim Belortaja: Historia e Kinës është treguesi më i qartë i efektit të lartë që ka hapja dhe internacionalizimi e komunikimi me botën. Vetë hapja e Kinës më 1978 dhe 40 vjetët e hapjes dhe reformave të Kinës janë treguesit më të mirë të përfitimeve që ka Kina dhe mbarë komuniteti ndërkombëtar nga një bashkëpunim i hapur dhe pa rezerva. Kështu që vetë Kina është referenca e efektit të hapjes. Nënvizimi i fortë i hapjes ndaj botës dhe ndërkombëtarizimi pa pengesa i flukseve tregtare dhe investuese është rruga më e mirë për të realizuar një rritje të shpejtë dhe një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare. Kështu që nuk ka dyshim se hapja do të ketë efekte të mira dhe është gjetja e duhur. Sigurisht kjo hapje duhet të jetë e dyanshme. Të gjitha vendet duhet të eliminojnë barrierat teknike, barrierat tarifore dhe jotarifore, në lëvizjen e fluksit të mallrave dhe në lëvizjen e investimeve, sepse kjo është në të mirë të të dy anëve, në të mirë të të gjitha palëve të përfshira. Të gjitha instrumentet ndërkombëtare që funksionojnë sot në botë nënvizojnë pikërisht këtë: heqjen e barrierave, lehtësimin e flukseve tregtare e investuese dhe ekonomike në përgjithësi. Për këtë duhet të punohet konkretisht jo vetëm në kuadër të platformave, jo vetëm në kuadër të strategjive të shkruara, por edhe në terrenin praktik. Aty ku mallrat lëvizin vërtet, nuk duhet të ndeshen me pengesa tarifore, jotarifore dhe administrative. Ka ende shumë punë për të bërë në të dyja anët.
CMG: Ditët e fundit, 15 vende nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), që shënon formimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Planifikohet që edhe bisedimet për Marrëveshjen e Gjithanshme të Investimeve Kinë-BE të përfundojnë brenda këtij viti. Çfarë pritshmërish keni për këto marrëveshje dhe për ndikimet e tyre për ekonominë botërore?
Selim Belortaja: Unë jam specialist i liberalizimit të tregtisë. Për shumë vjet kam punuar në institute që kanë si temë liberalizimin tregtar, hapjen e flukseve tregtare. Kështu që çdo organizim, çdo tryezë që mbledh së bashku disa vende që nënshkruajnë marrëveshje për hapjen e flukseve tregtare dhe investuese, është për t’u përshëndetur. Unë e shikoj shumë pozitivisht. Sigurisht, kjo e 15 vendeve është një nismë e mirë, po kemi edhe shumë nisma të tjera, historike, që funksionojnë rreth e rrotull nesh, edhe me vendet tona, dhe që synojnë pikërisht hapjen tregtare. Organizata më e madhe botërore e lehtësimit të tregtisë, për shembull, është Organizata Botërore e Tregtisë, ku janë anëtare edhe Shqipëria, edhe Kina. Aty janë përcaktuar qartë shumë rregulla të rregullimit të flukseve tregtare pa pengesa. Mendoj se ne, së pari, duhet të shikojmë platformat ekzistuese të liberalizimit të tregtisë, t’i respektojmë ato deri në fund, në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendeve tona, dhe pastaj çdo nismë e re, çdo tryezë e re, ku përfshihet edhe vizioni “Një brez, një rrugë”, ku përfshihet edhe nisma “17+1” Kinë-Europë Qendrore e Lindore, të gjitha këto janë instrumente që plotësojnë platformën tonë të lëvizjes së mallrave dhe investimeve pa pengesa.
CMG: Në katër dekadat e kaluara, 800 milionë banorë kinezë kanë dalë nga varfëria, dhe Kina e ka realizuar dhjetë vjet para afatit objektivin e përcaktuar në agjendën e zhvillimit të OKB-së. Si e vlerësoni këtë arritje të palës kineze, sidomos në sfondin kur virusi e ka vështirësuar kryerjen e një detyre të tillë, dhe çfarë përvoje mendoni se mund të ofrojë Kina për vendet e tjera të botës që kanë probleme në këtë drejtim?
Selim Belortaja: Unë mendoj se agjenda kundër varfërisë është arritja më impresionuese e Kinës në këto dekada. Ajo ka arritur të mbajë një ritëm të qëndrueshëm, të konsoliduar, që nga viti 1978, kur nën nivelin e varfërisë ishin më shumë se 700 milionë kinezë, dhe deri më sot kur kanë mbetur më pak se 5 milionë nën këtë nivel varfërie. Kjo është agjenda më e suksesshme dhe më impresionuese për të gjithë botën, mendoj unë, përfshi edhe mua si studiues i ekonomisë. Jo vetëm në të kaluarën, por ky ritëm ka qenë në rritje nga njëra dekadë në tjetrën. Po të shikojmë dekadën e fundit, nga viti 2012 deri në vitin 2020, 90 milionë kinezë kanë dalë nga ky nivel i varfërisë. Është një shifër që do të habiste gjithkënd, është një shifër dyfish më e madhe se e gjithë popullsia e Europës Juglindore. Kjo tregon kujdesin e veçantë të qeverisë kineze ndaj njeriut, ndaj standardit të jetesës së njerëzve. Sigurisht për këtë nuk ka fjalë tjetër, veçse duhet përshëndetur.
Është mirë gjithashtu që kjo politikë ushtrohet me të njëjtin kujdes në të gjithë territorin e Kinës. Pra, nga 832 komuna që ka pasur me probleme të varfërisë në të kaluarën, në vitin 2015, në vitin 2019 kishte vetëm 52 komuna, dhe mua këto shifra më kanë impresionuar vërtet kur i kam studiuar së fundmi. Nuk mbetet veçse ta përshëndes këtë rrugëtim të Kinës kundër varfërisë dhe të shpreh optimizmin që brenda 2020-s, ashtu siç është edhe objektivi i udhëheqjes kineze, e gjithë popullsia nën nivelin e varfërisë të dalë nga ai nivel. Dhe jam i sigurt që do të ndodhë kjo gjë, përderisa edhe viti më i vështirë, viti i COVID-19, 2020-a, nuk e pengoi Kinën që t’i afrohet fare pranë realizimit të atij objektivi, i cili me siguri do të përmbushet në fund të këtij viti.
Nisur nga kjo përvojë e Kinës, e fituar në 40 e ca vjet, unë mendoj se dhe vendet e tjera duhet të përfitojnë nga ky akumulim përvoje dhe të marrin atë çka është e mundur të marrin, për ta aplikuar në vendet e tyre. Sigurisht, ne jemi vende sistemesh të ndryshme nga shumë aspekte dhe jo çdo gjë mund të transferohet në kontekstin social e politik të vendeve tona, po shumë instrumente teknike dhe administrative mund të funksionojnë fare mirë edhe në vendet tona, nëse se i marrim dhe i aplikojmë ato pa paragjykime.
CMG: Në cilat fusha mendoni se ka më shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë?
Selim Belortaja: Kur më pyesin për fushat, unë gjithnjë ndihem pak në vështirësi, për shkak se dinamika e zhvillimit të Kinës është aq e lartë, saqë fusha të reja dalin papritmas çdo vit si mundësi bashkëpunimi. Kush do ta mendonte disa vjet më parë që Kina të ishte një fuqi e madhe e teknologjisë së lartë, e teknologjisë së informacionit, të komunikimit, e robotikës, e kibernetikës, gjëra të cilat ne nuk i përmendnim 5-10 vjet më parë. Por sot ato janë një mundësi reale për të bashkëpunuar me Kinën. E megjithatë, po të mbajmë parasysh komplementaritetin në bashkëpunimin ndërmjet dy anëve, çfarë ofron Kina dhe çfarë mirëpret terreni ynë ekonomik, unë do të thosha që prodhimi industrial mbetet një mundësi bashkëpunimi, transferimi i kapaciteteve në vendet tona, që është edhe një interes i Kinës, por edhe i vendeve tona për të riaktivizuar disa industri që u pezulluan me tranzicionin ekonomik. E dyta, turizmi ngelet një fushë pa dyshim shumë atraktive, me një dinamikë dhe larmi formash zhvillimi jo thjesht në konceptin tonë tradicional të detit dhe rërës. Industri të tjera që përmenda, të natyrës moderne, të kërkesave të sotme të zhvillimit, janë gjithashtu një mundësi bashkëpunimi, që nga bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit e deri te industri të tjera për modernizimin e jetës ekonomike e sociale të vendit.
Urbanizimi ynë sot kërkon elemente të reja teknike dhe këto elemente Kina i ofron mjaft mirë dhe në cilësinë më të lartë botërore. Fusha të tjera janë industria nxjerrëse. Ne kemi një histori suksesi me kompaninë që punon në sektorin e naftës, me gjithë problematikën shumë të madhe që ka ai sektor për shkaqe historike dhe për shkaqe të bartura nga investitorët e kaluar. Investitori kinez po përpiqet t’i kalojë vështirësitë dhe duket se jemi në rrugën e duhur për të konsoliduar biznesin e tij të madh në Shqipëri. Po kështu, nisur nga ky shembull, do të thosha që në fushën e minierave, në fushën e pasurive natyrore, prezenca kineze mund të bëjë shumë për aktivizimin e pasurive tona dhe shndërrimin e kësaj pasurie në të mira materiale në përfitim të popullit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd