Transmetuar më 28-11-2020, 08:55

E ndërsa e gjithë bota mezi po e pret dhe e sheh si shpëtim vaksinën,  Presidenti i Brazilit bëhet i pari zyrtar i lartë i një shteti, i cili del kundër vaksinimit.

Jair Bolsonaro nuk do të vaksinohet kundër koronavirusit edhe nëse ajo do të marrë aprovimin nga autoritetet shkencore të vendit të tij.

“Po ju them qartë, unë nuk do të vaksinohem. Është e drejta ime”, – tha presidenti.

Aktualisht Brazili është një ndër vendet më të prekura në botë nga pandemia me mbi 170 mijë viktima.

Bolsonaro shpesh herë është kritikuar për mënyrën sesi ai e ka menaxhuar pandeminë dhe në disa raste është përpjekur të nënvlerësojë dhe rrezikun e saj.

Në mes të korrikut kreu i shtetit në Brazil u infektua me koronavirus dhe u shfaq në publik duke promovuar hidroksiklorokinën, një medikament që studimet tregojnë se nuk ka shumë efekt ndaj Covid-19. Thirrja e tij mund të nxisë publikun që të refuzojë vaksinimin.

Ka në fakt zëra skeptikë në mbarë botën, madje edhe shkenca thotë se asgjë nuk është e sigurt lidhur me sigurinë e vaksinës. Vetëm pas fushatës do të merret rezultatet e sakta të saj. /a.m/NOA.al