Transmetuar më 27-11-2020, 22:58

Një tjetër lajm i zi vjen për sportin e peshëngritjes shqiptare, ku këtë të premte, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Haki Agalliu.

Agalliu ka qenë peshëngritës dhe trajner i ekipit te Partizanit dhe ekipit Kombëtar në këtë sport që nga vitet 1960.

Agalliu ka kryer edhe detyrën e anëtarit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për 8 vjet, nga viti 2004, deri në 2008-ën, gjatë drejtimit të saj nga Presidenti Esat Ademi.

Haki Agalliu është emër i respektuar i peshëngritjes shqiptare ne disa dekada dhe për këtë kontribut, Ademi e propozoi emrin e tij për dekorimin nga Federata Evropiane e Peshëngritjes (EWF), propozim që u miratua në vitin 2008.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të peshëngritësit dhe ish trajnerit, Haki Agalliu.

Meta shprehet se ai arriti të ngrejë peshëngritjen tonë në nivelet më të larta ndërkombëtare.

“Lajmi për ndarjen nga jeta të Prof.Haki Agalliut, është i dhimbshëm për të gjithë ata, të cilët punuan dhe e njohën nga afër përmbi 6 dekada, në shërbim të sportit dhe peshëngritjes në veçanti. Ai i përket asaj plejade trajnerësh, të cilët e ngritën peshëngritjen tonë në nivelet më të larta ndërkombëtare. Emrat e shumë kampionëve dhe rekordmenëve lidhen edhe me punën e përkushtimin e Tij të admirueshëm, po kështu edhe shumë arritje në kompeticionet ndërkombëtare. Ka qenë kënaqësi dhe privilegj ta njihja, por edhe të mësoja prej urtësisë të Tij. Ngushëllimet më të sinqerta Familjes Agalliu, të gjithë miqve dhe dashamirësve të Tij”, tha Meta.