Transmetuar më 27-11-2020, 10:23

Më në fund, imazhet e Diego Armando Maradonës në morg, i cili vdiq para dy ditësh mbërritën edhe në mediat sociale. Vajzat e kampionit të futbollit e dinin për rrezikun dhe i kishin detyruar të gjithë ata që i afroheshin trupit, përfshirë policët, të linin celularët e tyre. Por punonjësit e shtëpisë së varrimit e anashkaluan ndalimin dhe u kthyen në shtëpi me "trofeun" e tyre "makabër".

Ata të gjithë janë punonjës të kompanisë funerale "Pinier", e cila u kujdes për të gjithë ceremoninë kushtuar Diego Armando Maradonës.

Diego Molina, i pari i identifikuar, tashmë është pushuar nga puna. Për dy të tjerët është vetëm çështje kohe, shkruajnë mediat nga Argjentina.

Matias Morla, avokati i Maradonës, mori foton e Molinës nga mediat sociale dhe e postoi atë në Twitter, duke u zotuar se do të merrte nisma ligjore kundër tij.

“Ai është kreu i varrimeve të "Pinier". Diego Molina është derri që bëri fotografinë e tij përkrah Maradonës. Për kujtimin e mikut tim nuk do të pushoj derisa ai të paguajë për këtë gjë”, paralajmëron ai.

Por nëse nga njëra anë ka nga ata që kritikojnë imazhet që qarkullojnë dhe flasin për mungesë respekti për Diego Armando Maradonën dhe familjen e tij, nga ana tjetër ka edhe nga ata që falënderojnë.

Pandemia mbajti në distancë qindra mijëra njerëz që donin t’i jepnin kampionit një lamtumirë të fundit në shtëpinë e varrimit të vendosur në Casa Rosada, pallati presidencial.

Madje pati edhe përplasje për shkak të faktit se shumë nuk ishin në gjendje të përshëndetnin Maradonën për herë të fundit. Dhe kështu, ata e interpretuan përhapjen e fotove "makabre" të Maradonës së vdekur, si një lloj gjesti për popullin e thjeshtë. /e.a/noa.al/