Transmetuar më 26-11-2020, 14:41

Ajet Meçja nga Durrësi është një nga të mbijetuarit e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Por fatkeqësisht ai humbi bashkëshorten, vajzën dhe mbesën e tij, gjatë lëkundjeve të forta të tokës rreth orës 4 të mëngjesit.

Një vit pas ngjarjes së tmerrshme, Meçja tregon mes lotësh se si jeton me dhimbjen, mallin dhe me kujtimet e familjes së tij.

“Nuk ka moment që mua nuk më shkon mendja tek ata. Humba 3 njerëzit më të dashur. Në darkë isha plot dhe në mëngjes u zgjova bosh. Do jetosh me dhimbjen derisa t’u shkosh atyre pranë. Vij shumë rrallë këtu, ku ndodhi ngjarja e tmerrshme, i kam të shpeshta momentet kur dëgjoj thirrjet e vajzës dhe mbesës për ndihmë, – rrëfen i mbijetuari në "Shqipëria live". – Atë natë vajza më thotë, të vij andej se ka rënë tërmet. U mblodhëm të katërt. Tërmeti i orës 4 ka qenë një shkundje e jashtëzakonshme. Ata rendën me vrap për të dalë, unë shpëtova. Fati nuk ishte me ta".

Alfredi pohon po ashtu se ka edhe një peng të madh. "Vajza ka qenë gjallë që në oën 7. Diena ka qenë gjallë deri vonë. Kontaktoja me zë me të. Dienës nuk i kisha bërë dasmë. E kishim lënë për më vonë bashkë me dhëndrin që ta bënim. E meritonin që t’i nisja si nuse, e kështu i përcolla, si nuse. Fati i keq, – thotë ai. – Më thanë shoqet që kishte një letër për gjyshen. Ajo është rritur me të dhe ka marrë zakonet e gjyshes. Unë e kam zmadhuar dhe e kam vendosur në kornizë, e quaj diçka shumë të shenjtë. Nuk ishte fat ta gëzonim jetën”, rrëfen ai mes lotësh.

Familja e Ajet Meçjas jetonte në një pallat 6-katësh pranës Kryqit të Kuq në Durrës, i cili pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit u kthye në një gërmadhë.