Reforma në Drejtësi/ Ylli Manjani akuza të forta KE-së: Mbështeti pa kushte qeverinë “Rama”
Transmetuar më 25-11-2020, 20:55

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se gjatë hartimit të reformës në drejtësi është gabuar që në planifikimin e saj, duke thënë se Komisioni Evropian e ka dëmtuar indirekt Shqipërinë pasi ka mbështetur pa kushte qeverinë “Rama”.

“Komisioni Evropian që ka qenë, ka pas një dashamirësi politike ndaj qeverisë shqiptare por që ndaj Shqipërisë apo shtetit shqiptar ka sjell një dëm shumë të madh, ndoshta dhe pa dashje. Sigurisht nuk është fajtor KE, nuk është as Mongerini në vetvete, jemi ne fajtorët por duhet të kuptojmë që u krijua një klimë asokohe që o burra hajde ta bëjmë se hymë në Evropë”, – deklaroi Manjani.

Ish-ministri i Drejtësisë duke folur për situatën aktuale ku ishte i ftuar në Euronews Albania, tha se ndërkombëtarët po kërkojnë me ngulm vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese, tha se edhe në këtë pikë pa gabohet pasi cilësia e emërimeve në institucionet e reja të formës në  drejtësi lënë shumë për të dëshiruar.

Nga ana tjetër Manjani e cilëson jetike ekzistencën e një Gjykate Kushtetuese funksionale duke marrë si shembull miratimin e Aktit Normativ nr. 3 për pandemisë, i cili tha se shkel të gjitha  ligjet e vendit dhe Kushtetuesja do ta kishte rrëzuar.

Ndonëse për të çelja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është e vetmja dritare që mban Shqipërinë të lidhur me Perëndimin, tha se dyshonte që Gjykata Kushtetuese do të behej funksionale brenda këtij viti.

“Unë dyshoj se Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale edhe sikur të zgjidhen 6 anëtarë. Unë jam nga ata që mendoj se Shqipëria ka nevojë të çeli bisedimet me BE. Është e vetmja dritare ku ne shohim perëndimin, nuk na mjafton më dritarja e NATO, e Këshillit të Evropës apo edhe OSBE-së”.

“Shqipëria ka interes, politika mund të mos ketë interes. Le të shpresojmë të kemi një datë për t’u ulur për të çelur negociatat”, tha mes të tjerash Manjani./a.m/NOA.al