Pas hapjes së Spitalit Covid-4, Rama: Mos dilni nga shtëpia, ja spitali i ri
Transmetuar më 24-11-2020, 11:56

Bashkë me promovimin e hapjes së Spitalit të ri Covid-4, Kryeministri Edi Rama këshilluar qytetarët që të mos dalin nga shtëpia. Kjo duket se është një përgatitje psikologjike para shpalljes së mbylljes së dytë. Rama ka publikuar pamjet nga brenda spitalit COVID 4 për të cilin thotë se është gati me gjithçka duhet në vijën e zjarrit. Rama thekson se në këtë luftë ku qeveria nuk do të lërë asgjë mangët, fitohet vetëm duke bërë secili të vetën.

Postimi i Ramës

“Mirëmëngjes. Spitali Covid 4 është gati me gjithçka duhet në vijën e zjarrit, por ju lutem kujdesuni për veten e të tjerët, sepse kjo luftë ku ne s’do të lemë asgjë mangët, deri në fund, fitohet vetëm duke bërë secili të vetën. GjithçkaPërShëndetin #MASKA😷#DISTANCA↔#HIGJIENA🧼

dhe mbi të gjitha, të shmangim çdo dalje nga shtëpia që nuk është e domosdoshme..”, shkruan Rama.

Spitali Covid-4 gjendet në autostradën Tiranë Durrës. Ai po inaugurohet për herë të dytë nga qeveria, pasi u ngrit që të trajtonte të infektuarit gjatë periudhës së rihapjes dhe sezonit turistik. Ka qenë vetë kryeministri Rama që shkoi dhe e vizitoi nga brenda këtë spital në 2 qershor 2020.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi pak ditë më parë nga spitali COVID4, se po përgatiten edhe spitalet rajonale për përballimin e situatës së epidemisë.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës. Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu.

Dr. Daniela Nika, nëndrejtore e QSUT, strukturë e cila do të administrojë edhe spitalin COVID4 u shpreh se në strukturën e re janë të gjitha pajisjet për t’u shërbyer pacientëve.

Ku do të gjendet stafi

Prof. Krenar Lila, duke folur për stafet mjekësore që do të shërbejnë në spitalin Covid4, tha:

“Kanë shprehur gatishmërinë e tyre infermierë të cilët punojnë në reanimacionet përkatëse në QSUT të cilët kërkojnë që të punojnë në spitalet infektive. Do të merret një pjesë e specializuar e infermierëve, sigurisht do të ketë dhe infermierë të rinj. Lidhur me personelin reanimator, është ndërtuar një plan, i cili do të funksionojë për të mbuluar shërbimin gjatë 24 orëve”.

Skenarët e qeverisë

Gati jemi me COVID 4 dhe spitale rajonale, ka njoftuar para disa ditësh ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu. Pas plotësimit të kapaciteteve në spitalet aktuale do të hapim spitalin COVID 4 e më pas do të kalojmë tek rajonalët.

“Kur të tejkalohet numri i 500 pacientëve të planifikuar për t’u trajtuar në 4 spitalet Covid, do të kalohet tek spitalet rajonale të mundet të trajtojnë rastet. Për këtë qëllim është vijuar me pajisjen me setet e nevojshme të aparaturave, për urgjencën dhe reanimacionin, që përfshin monitorë të matjes së parametrave vitalë të pacientit, respiratorë apo aspiratorë, shiringa elektrike, EKG”, tha Manastirliu.

Për vitin 2020 në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë alokuar 25 milion euro fonde shtesë dhe 5 milion euro grante të cilat janë përdorur për përballimin e epidemisë së Covid 19. Paratë duken të pamjaftueshme, po të kemi parasysh se koncesione në shëndetësi marrin pjesën e luanit të fondeve.

Qeveria ka qysh në prill që mundohet të hapë spitalet Covid 3 dh 4, por duket se funksionimi i tyre has në probleme, prandaj duket se do të mbeten premtime të pambajtura. Po ashtu hapja e spitaleve rajonalë për trajtimin e Covid duket akoma i largët.

Një pyetje lind natyrshëm, duke parë se qindra njerëz shkojnë për kurim në Turqi dhe vende të tjera: Përse nuk hapen spitalet private për të sëmurët me Covid dhe qeveria t’i rimbursojë këto shërbime?

/S. H   /NOA.al