Transmetuar më 24-11-2020, 12:07

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 vite burg Islam Myrtajn, i akuzuar për vrasjen e Haki Baçinozit. Ngjarja e rëndë ndodhi për një borxh financiar prej 45 mijë eurosh, që Baçinozi ia kishte dhënë ish-mikut të tij.

Myrtaj u shpall fajtor për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Krimi ndodhi në 16 mars 2019 tek Liqeni Artificial në Tiranë. Në gjykim, autori shfaqi pendesë për krimin dhe mohoi ta kishte kryer vrasjen me paramendim.

Pak pas shpalljes në kërkim, Myrtaj u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Ndërsa ekzekutimi i 62-vjeçarit u krye në sy të djalit të mitur, teksa të dy kishin dalë për shëtitje në zonën e Liqenit Artificial.

Dy ish-miqtë nga Mallakastra, Myrtaj dhe Baçinozi janë shkëmbyer në një nga shëtitoret e Liqenit Artificial, ku mes tyre ka pasur një debat.

Baçinozi i ka kërkuar sasinë e eurove, ndërsa Myrtaj në debat e sipër e ka ofenduar dhe më pas dy ish-miqtë janë përplasur fizikisht, duke bërë që autori të nxjerrë armën nga brezi dhe ta qëllojë Baçinozin plot katër herë, duke e lënë të vdekur në vend.  /e.a/noa.al/