Transmetuar më 24-11-2020, 10:04

Ai i ishte përgjigjur apelit të Rajonit të Campanias edhe pse kishte dalë tashmë në pension. Riveshi uniformën e bardhë dhe nisi punë në autoambulanca për të dhënë kontributin e tij në lutën kundër Covid-19.

Por ka qenë pikërisht virusi ai që e ka larguar nga kjo botë. Ky është Alfonso Durante, 75-vjeçari italian që nuk e fitoi betejën me koronavirusin.

Lajmin e kanë dhënë vetë kolegët e tij, me një koment emocionues në rrjetet sociale: “Heroi i vërtetë i kësaj pandemie, me misionin e kryer deri në frymën e fundit”.

"Një infermier 75-vjeçar në pension, i cili kohët e fundit vendosi të kthehej në shërbimin e 118, nga ndjenja e detyrës, u infektua dhe u dërgua në Cotugno. Për një kohë të shkurtër u vu nën kujdes intensiv dhe u intubua, – lexohet në njoftimin në Facebook – Prr më pas, ai humbi jetën. Covid e mori me vete. Ai po shijonte pensionin e tij, por britmat e njerëzve në vështirësi gjatë pandemisë, e nxitën atë të vishte edhe një herë uniformën e urgjencës, por këtë zgjedhje e ka paguar shtrenjtë", është mesazhi i ngushëllimit të kolegëve të 75-vjeçarit. /e.a/noa.al/