Transmetuar më 23-11-2020, 16:30

Ministrja e Shëndetësisë tha sot se aktualisht ka ende kapacitete paezauruara për të prekurit me koronavirus në të tre spitalet Covid.

Ogerta Manastirliu ishte në ambientet e spitalit Covid 4, për të cilin tha se është gati për t’u hapur.

“Kapacitetet tona që tashmë i kemi ngritur dhe janë gati që në momentin që duhet, për t’u vënë në funksion.

Numrat në rritje të rasteve të infektimeve dhe sigurisht numrat në rritje të rasteve në spitale, tashmë duke qenë se edhe spitali Covid3 është tërësisht me të gjitha kapacitetet i hapur në pritje të trajtimit dhe shërbimit të qytetarëve, edhe spitali Covid4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve COVID”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali COVID4 se po përgatiten edhe spitalet rajonale për përballimin e situatës së epidemisë.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës.

Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu. /k.k/noa.al/