Pamje të tmerrshme brenda morgut të Tiranës, trupa të vdekur nga Covid të mbuluar me çarçaf pirg në dysheme
Transmetuar më 21-11-2020, 01:42

Pamje rrëqethëse janë fiksuar në morgun e Tiranës, ku kufoma të vdekura nga Covid gjenden të shtrira në dysheme.

Fotot, janë bërë këtë javë dhe dëshmojnë situatën aktuale në të cilën ndodhen spitalet e vendit, si pasojë e Covid-19.

Këto pamje të rënda vijnë nga brenda Morgut në QSUT dhe "janë persona që kanë ndërruar jetë nga Covid-19 dhe për shkak të mospasjes së kapaciteteve për të përballuar një fluks gjithmonë e në rritje, kufomat lihen edhe në dysheme".

Trupat e pajetë janë të mbuluar me çarçafë dhe ndodhen të shtrirë në ambientet e brendshme të morgut të Tiranës.

NOA.al kërkoi një konfirmim zyrtar nga ministria e Shëndetësisë. Një zyrtare e saj, i tha NOA-s se MSH nuk është në dijeni, duke shtuar se morgu është objekt i Institutit të Mjekësisë Ligjore. NOA.al u përpoq të komunikojë me drejtorin këtij institucioni, Bledar Xhemali, por ai nuk dha një përgjigje.

Megjithatë, pas disa orësh u dërgua një njoftim publik nga drejtoria e IML. Ajo e pranon se pamjet janë nga morgu i QSUT.

"Periudha që po jetojmë në punën tonë, ashtu si për të gjitha institucionet e ngjashme në spitalet e mbarë botës ka qenë tejet e mbingarkuar. Padyshim që morgu nuk bën asnjë përjashtim në pamundësinë për t’i sistemuar denjësisht të gjitha kufomat në mjediset frigoriferike në dispozicion, kur ka më shumë fatalitete.

Kur jemi në pamundësi, ato sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve. Por kurrsesi nuk është rrëmuja e paraqitur në fotot keqdashëse të shpërndara në media. Sendet personale që shoqërojnë trupat, janë veshjet e të ndjerëve, të cilat përbëjnë kujtime të çmuara për familjarët".

Më herët mbrëmë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha publikoi një denoncim tronditës duke akuzuar qeverinë se fsheh numrin e viktimave të Covidit. Basha tha se disponon dokumente nga morgu dhe emrat e 414 personave të vdekur nga Covid, që janë fshehur në komunikimet ditore zyrtare. /noa.al/

Kujdes. Pamjet në galeri janë imazhe shqetësuese dhe disa mund të mos i përballojnë.