Transmetuar më 19-11-2020, 00:08

Me mijëra ishin ata që humbën vendet e punës gjatë karantinës, duke përfshirë edhe ata që punojnë në të zezë.

Por, a janë rikthyer ata në punë? A2 Business Week ka siguruar të dhënat e Ministrisë së Financave, ku rezulton se diferenca mes numrit të të punësuarve nga shkurti, muaji i fundit para pandemisë, deri në fund të shtatorit, është vetëm 2000 persona. Kjo është shifra e vendeve të punës të humbura nga Covid-19.

Kastriot Sulka, ish-zv/ministër i Punës, shprehet se shteti duhet të ndihmonte bizneset për të mbajtur në punë punëtorët e tyre: “Në Gjermani shteti u ka dhënë bizneseve 70-80% të pagës për të mbajtur punonjësit e kualifikuar. Ndërsa atyre që punonin në të zezë, shteti u tregoi derën ose u tha spiunoni punëdhënësin”.

Ndërsa Elton Harxhi, ish-zv/ministër i Financave, deklaroi:

“Shqipëria hyri në krizë në pozicion jo dhe aq të favorshëm, pasi niveli i borxhit publik ishte më i lartë sesa ai i vendeve të rajonit. Hapësira fiskale e qeverisë shqiptare ishte më e kufizuar. Borxhi u mor gjithësesi, u thyen të gjitha rregullat fiskale që ishin vendosur nëpër strategji. Paketat e ofruara nuk adresuan në masën e duhur problematikën që shkaktoi pandemia. U munduan që të adresonin të gjithë shtresat më në nevojë. Nuk u trajtuan punonjësit informalë”.