BE nuk e njeh “mini Shengenin” e Serbisë
Transmetuar më 13-11-2020, 17:31

Nga Shaban Murati

Në 10 nëntor 2020 në Sofie të Bullgarisë u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor.

As në konkluzionet përfundimtare të samitit, as në fjalën e mbajtur në samit nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, as në fjalën e mbajtur nga përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe nënpresident i Komisionit Europian Josep Borrel, as në fjalën e Komisionerit të BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe në asnjë dokument zyrtar të BE, nuk u përmend asgjëkundi dhe asnjëherë fjala “mini Shengen ballkanik”.

Samiti elaboroi dinamikën e integrimit europian dhe rajonal të Ballkanit Perëndimor në suazën e “Procesit të Berlinit”, të iniciuar nga kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel në vitin 2014, që integrimin europian dhe rajonal të Ballkanit Perëndimor do ta drejtojë Brukseli.

Kemi një provë të re madhore zyrtare se BE e nuk e njeh dhe e injoron projektin “mini Shengen” të Serbisë, sepse BE synon ta integrojë Ballkanin Perëndimor në BE dhe jo në një “Jugosllavi të Re”, të dominuar nga Serbia.

Kjo provë e re zyrtare e BE e mospërfilljes së projektit serb të “mini Shengenit ballkanik” u demonstrua në samit para syve të drejtuesve të pranishëm të qeverive dhe të diplomacive të vendeve të Ballkanit Perendimor, dhe duhet t’u shërbejë atyre si ilaç për t’u shëruar trullosjen e rrezikshme nga hashashi politik serb i “mini Shengenit”.