Transmetuar më 13-11-2020, 15:36

Kualifikimi i Maqedonisë së Veriut në finalet e Europianit është një arritje historike për një skuadër që ka në përbërje futbollistë të kombësive të ndryshme. Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, mëngjesin e kësaj të premteje, mirëpirti delegacionin e përfaqësueses që u kthyer fitimtare nga Tbilisi, kryeqyteti i Gjeorgjisë.

Sigurisht në fjalën e tij kishte vetëm admirim për punën e kryer nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe trajneri i përfaqësueses, Angelovski. Çelësi i këtij suksesi, sipas kryeministrit, ishte uniteti mes maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve, shkruan Supersport.

“Këtë gëzim të madh na e sollën futbollistët heronj, të cilët lanë zemrën në fushën në Tbilisi, duke sjellë këtë fitore të madhe që historia e futbollit vendor nuk e mban mend deri më tani. Përfaqësuesja e Maqedonisë për herë të parë do të mund të luajë në një Kampionat Europian. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë i janë gëzuar këtij suksesi. Feston i gjithë shteti. Një gol për të gjithë, një fitore për të gjithë, kjo është e mundur vetëm nëse jemi të bashkuar. Maqedonas, shqiptarë, turq… në të njëjtën fanellën, nën të njëjtin flamur për vendlindjen e përbashkët. Kjo dëshmon se vetëm të bashkuar mundemi, një për të gjithë, dhe të gjithë për një,” – u shpreh Zoran Zaev.