Transmetuar më 12-11-2020, 20:01

Në botë  numri i infeksioneve tejkaloi 51 milion të infektuar që prej fillimit të pandemisë. Por vala e dytë ka goditur vendin tonë dhe akoma më keq vendet e tjera të rajonit, që rrethojnë Shqipërinë dhe Kosovën.

Sipas raportit të 24 orëve të fundit, vala e dytë e infeksionit ka vënë në alarm të gjitha vendet fqinje, të cilat po planifikojnë masa të tjera shtesë, deri edhe në izolim kombëtar. Maqedonia e veriut ka aktivizuar sot edhe ushtrinë në terren.

Italia

Italia rregjistroi në 24 orët e fundit 37,978 raste të Covid-19, sipas buletinit zyrtar dhe 636 vdekje. Që nga fillimi i epidemisë, regjistrohen mbi një milion të infektuar, ose gati dy për qind e popullsisë.

Zonat më të prekura janë Veneto: mbi 3.5 mijë, pothuajse 2 mijë në Toskëri dhe 1.4 mijë në Pulia. Veneto, Friuli Venezia Giulia dhe Emilia-Romagna pritë te vendosin kufizime më të mëdha.

Greqia

Vendi helen raportoi sot shifra rekord prej 50 viktimave dhe 3,316 rasteve të reja.

Greqia, e cila ka një popullsi prej rreth 10 milionë banorëve,  sa rreth trefishi i Shqipërisë,  ka pasur në total 66,637 raste me COVID-19, prej së cilëve rreth 10 mijë prej tyre kanë mundur të shërohen (rreth 15% e totalit), ndërsa 959 persona kanë humbur jetën deri më tani (vdekshmëria 1.4%).

Në spitale autoritetet raportojnë për 310 pacientë të intubuar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pas një periudhe relativisht nën kontroll, në fundin e muajit tetor Greqia vuajti një valë të re me mbi 1 mijë raste në ditë. Rekordi qe shënuar më 5 nëntor me 2,915 raste ditore.

Serbi

Autoritetet serbe njoftuan për 19 viktima dhe 3,343 persona të diagnostikuar së fundmi me COVID-19.

Situatë  e ngjashme raportohet edhe në Serbi. Pas rekordit prej 3,536 rastesh të reja, regjistruar të mërkurën, autoritetet shëndetësore raportuan sot për 3,341 raste të tjera.

Serbia, e cila ka rreth 7 milionë banorë,  më shumë se dyfishi i Shqipërisë,  numëron 73,765 raste me COVID-19, prej së cilave rreth 32 mijë janë mundur të shërohen (rreth 43.3% e totalit) ndërsa 955 kanë humbur jetën (vdekshmëria 1.29%).

Aktualisht janë 3,343 persona të shtruar në spitale, 151 prej së cilëve të intubuar.

Prej 27 tetorit, për herë të parë u regjistrua mbi 1 mijë raste të reja në një ditë.

Maqedoni e Veriut

E njëjtë panoramë e zymtë paraqitet edhe në Maqedoninë e Veriut. Në vendin fqinj ushtria ka filluar të ndihmojë policinë dhe stafin mjekësor për t’u përballur me Covid-19. Angazhimi i fundit i ushtrisë ishte gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kur në Maqedoninë e Veriut kishte edhe orë policore.

Ushtria për momentin është e angazhuar si roje nëpër spitalet e shumta të shtetit, për të asistuar policinë në parandalimin e ikjes apo kontaktit të personave të infektuar me ndonjë njeri nga jashtë.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut raporton se në gjithë vendin janë regjistruar 1212 të vdekur nga Covid-19. Qyteti më i prekur në Maqedoninë e Veriut është Shkupi, ndërsa në raportin e një dite më parë u raportuan 26 viktima dhe 1321 raste pozitive./a.m/NOA.al