Transmetuar më 11-11-2020, 11:07

Bernard Challandes me COVID-19. Virusi famëkeq kap edhe trajnerin e Kosovës. Zvicerani 69-vjeçar ka rezultuar pozitiv në tamponin e kryer të martën, një ditë para sfidës, me rezultatin që është marrë këtë mëngjes, duke krijuar jo pak pështjellim. Gjithsesi, miqësorja me Shqipërinë nuk është në rrezik, do të zhvillohet sipas programit, në orën 16.00, në “Elbasan Arena” dhe përfaqësuesja e “Dardanëve” do të drejtohet në stol nga zëvendësi i Challandes, Muharrem Sahiti, sipas Supersport.

Bashkë me teknikun zvicëran ka rezultuar pozitiv në tamponët e kryer të martën edhe një anëtar i stafit të Kosovës. Gjithsesi, lajmi pozitiv është se të gjithë lojtarët e Kosovës dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kanë rezultuar negativë në testet e kryera dhe sipas protokollit shëndetësor të miratuar nga UEFA sfida vijon rregullisht. Bernard Challandes ashtu si dhe anëtari tjetër i cili ka rezultuar pozitiv, janë vetizoluar sapo janë marrë rezultatet e temponëve.

Për Kosovën shqetësim përbën fakti se pas miqësores me Shqipërinë do të luajë edhe dy ndeshje të tjera të rëndësishme, atë me Slloveninë në transfertë dhe me Moldavinë në shtëpi.

Challandes mbetet në karantinë, pa mundur të drejtojë skuadrën dhe do të presë rezultatin e tamponit tjetër që do të kryhet këtë të shtunë, një ditë para ndeshjes me Sllloveninë. Vetëm nëse rezultati do të jetë negativ, trajneri do të mund t’i bashkohet skuadrës për ta drejtuar në sfidat e radhës.