Transmetuar më 11-11-2020, 10:21

Në pritje të njoftimit zyrtar nga klubi, shtypi italian ka publikuar rezultatin e rishikimit të tamponëve të lojtarëve të Lacios të provuar të premten e kaluar në laboratorin ‘Avellino’, të kërkuar nga Prokurori Publik i kryeqytetit.

Analizat konfirmuan negativitetin e tamponit për sulmuesin italian Immobile dhe mesfushorin brazilian Lucas Leiva. Ndërsa tamponi i portierit të kombëtares, Thomas Strakosha, ka rezultuar pozitiv.

Immobile, Lucas Leiva dhe Thomas Strakosha nuk u lejuan nga UEFA të udhëtonin në Kiev, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e trete në fazën e grupeve, pasi kishte dyshime të forta mbi vërtetësinë e tamponëve. Në Itali nisi një hetim ndërsa ritestimi i tamponëve ka nxjerr një përfundim që mund t’i hapë telashe ekipit lacial.

Klubi lacial dhe laboratori “Futura Diagnostica” akuzohen se kanë manipuluar rezultatet e analizave për COVID-19 të lojtarëve të Lacios. /E.A/NOA.al/