Transmetuar më 09-11-2020, 11:57

Ka nisur seanca gjyqësore, ku ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi është paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.

Në seancën e parë, Krasniqi ka të drejtë të zgjedhë një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i janë lexuar akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë qysh në paraqitjen e parë.

Krasniqi konfirmoi se e ka është njohur me dosjen. "Aktakuzën e saj, një pjesë e të saj, pasi kemi ardhur në burgun e Hagësm, kemi marrë një dosje të rishikuar. E kam marrë në gjuhën shqipe dhe e kam kuptuar mirë", tha Krasniqi.

Krasniqi pranoi se në burgun e Hagës është vënë në dijeni për akuzat e Hagës, por i kundërshtoi ato duke thënë se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në krime lufte, përveç se ka mbrojtur lirinë e popullit kosovar nga serbët.

“Unë jam arrestuar më 4 nëntor, në akt akuzë na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët ,dua të deklaroj, kurrë në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit, as kaq sa më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time nuk kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë se nuk ka qenë qëllimi im ky, por lufta kundër okupatorëve që ka bërë genocidin në Kosovë. E ndjej veten më shumë se mirë, kurrë nuk do të doja të isha në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Unë jam intelektual që politikisht e kam dënuar Serbinë, por kurrë nuk jam marrë me popullsinë civile, as serbe. Nuk ndihem fajtor dhe ndaj meje po bëhet një padrejtësi e madhe. Akuzat janë të pavërteta", – tha Krasniqi gjatë seancës. – Në akt akuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolikë e myslimanë unë, jam shqiptar nuk jam as katolik e as mysliman“.

Të mërkurën, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjgjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. /NOA/