Transmetuar më 03-11-2020, 00:38

Terrori sonte në Vjenë ka për autorë të paktën 10 persona të cilët janë përfshirë në sulme gjakatare në 6 zona të ndryshme në qendër të kryeqytetit austriak, me synim eliminimin fizik të kalimtarëve të pambrojtur. Për disa orë u raportuan për 7 të vdekur dhe 4 të plagosur. Në një bilanc zyrtar që u publikua pas mesnate, raportohet për dy të vdekur dhe 15 të plagosur.

Sulmi ka ndodhur rreth orës 20:00 dhe sipas policisë ka ndodhur njëkohësisht në disa vendndodhje të ndryshme dhe gjithçka ka ndodhur një ditë para se të niste bllokimi i dytë – lockdown- për shkak të COVID-19.

Ministria e Brendshme e Austrisë tha se janë ende disa agresorë që ndodhen jashtë kontrollit policor dhe po qarkullojnë me armë në rrugët e Vjenës duke qëlluar persona të ndryshëm.

Në një rast, agresorët zhveshën lakuriq nga mesi e lart disa të rinj në mes të rrugës, në një situatë që precipitoi me vrasjen e shtatë personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Nuk është e qartë nëse ndër viktimat janë edhe të rinjtë që u detyruan të zhvishen.

Një vajzë vjeneze publikoi video me këtë skenë, por ajo më pas u fshi nga Facebook si e papërshtatshme.

Në një sulm tjetër paralel të agresorëve, janë marrë peng disa persona në një restorant. Raportohet edhe një pengmarrje e dytë.

Sakaq pamje dramatike vijnë nga rrugët e Vjenës dhe teksa hapet zjarr ndaj kalimtarëve të rastësishëm.

Ngjarja ka ndodhur një ditë para bllokimit të dytë dhe ka pasur shumë njerëz në lëvizje.

Policia u ka bërë thirrje njerëzve që të shmangin të gjitha hapësirat publike dhe të mos marrin transportin publik.