Transmetuar më 31-10-2020, 19:57

Shifrat janë akoma në rritje dhe alarmante në Itali.

Infeksionet Covid në Itali janë rritur sërish në 24 orët e fundit, 31,758 të infektuar, sipas buletinit të sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë; kurse shifrat e vdekjeve kanë shkuar në 297 në 24 orë.

Në 24 orët e fundit ka 800 të infektuar më shumë se maksimumi i arritur dje. Edhe 972 të tjerë janë shtruar në spital me simptoma dhe tani numri total i të shtruarve ka shkuar në 17,966, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Rritja e pozitivëve aktualisht në një ditë është 25,600, që e çon numrin e përgjithshëm të pacientëve në 351,386.

Nga ana tjetër, rritja e numrit të të shëruarve ishte shumë më e vogël: 5,859 në 24 orët e fundit për një total prej 289,426. Raporti midis rasteve pozitive dhe atyre negative është i barabartë me 14.7%, i llogaritur në bazë të të dhënave epidemiologjike të lëshuara më 31 Tetor nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo është edhe vlera maksimale e regjistruar deri më tani në këtë valë të dytë të pandemisë Covid-19.

Pas një jave përpjekje për të shmangur bllokimin e plotë apo me mbyllje të synuara të qyteteve, zonave të tëra metropolitane, si dhe aktiviteteve të tjera, qeveria italiane po shqyrton alternativën e fundit, atë të izolimit, edhe pse dëshironte ta shmangte me çdo kusht.

Kjo është edhe porosia qeveritare e imponuar nga Kryeministri Giuseppe Conte për të ndaluar infeksionet nga Covid 19.

Pas masave kufizuese që u morën më 25 Tetor, tani Italia duhet të presë efektet për të paktën pesëmbëdhjetë ditë.

Por deri në 8 nëntor, së pari, nëse do të ketë rritje në kurbën epidemiologjike, në këto 7 ditë, masat do të merren pikërisht në bazë të numrit të pozitiveve të reja dhe mbi të gjitha qëndrueshmërisë së spitaleve.

Siç raportohet nga Ilcorriere.it, kujdesi intensiv – i cili është treguesi kryesor i trendit të epidemisë – vazhdon të jetë i qëndrueshëm, edhe pse aktualisht po vuajnë disa rajone. Për këtë arsye, Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza dhe ai i Çështjeve Rajonale Francesco Boccia po punojnë me mbrojtjen civile për të mundësuar  transferimin e pacientëve nga Rajonet me spitale të mbingarkuara në Rajone të tjera.

Bllokimi total është masa që qeveria dëshiron të shmangë, veçanërisht nga frika e lidhur me ekonominë, por edhe me stabilitetin shoqëror. Në çdo rast, vendimi do të merret afër 8 nëntorit, 15 ditë pas vendimit për të mbyllur baret dhe restorantet deri në ora 6, si dhe për të kufizuar lëvizjen e njerëzve.

Zgjedhja do të bëhet të hënën pas takimit të guvernatorit Attilio Fontana me kryebashkiakët e Lombardisë. Duke përjashtuar mundësinë e vënies vetëm të Milanos në bllokim, parashikimi do të shtrihet në zonën metropolitane dhe zona të tjera ku numri i të infektuarve vazhdon të rritet.

Masat kufizuese kanë nisur të zbatohen në rajonet e prekura më tepër.

Përveç Lombardisë, lista përfshin Campania, Liguria, Lazio dhe Valle d’Aosta dhe provincën autonome të Bolzano. Por zona të tjera janë "nën vëzhgim". Kufizime më tepër pritet të ketë rreth orarit të hapjes së dyqaneve dhe qendrave tregtare.

/NOA.al