Transmetuar më 28-10-2020, 10:23

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kreu i shtetit Ilir Meta apelon se, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një “katastrofe, që duhet parandaluar në kohë".

Sipas asaj që publikon kreu i shtetit, “shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues”.

"Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrit të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve, të cilët kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues", – shkruan Meta.

Kreu i shtetit, vijon se "me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë".

"Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit", – përfundon Meta. E.A./ NOA.al