Transmetuar më 26-10-2020, 11:53

Ende asnjë i dyshuar për vrasjen e 50-vjeçarit Ahmet Toska, 50-vjeçari (në foto) i cili u vra mëngjesin e sotëm teksa kishte dalë nga banesa, në sy të gruas së tij.

Ahmet Toska u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Fier, në vendin e quajtur Sheq i Madh.

Duke iu referuar hetimeve mësohet se ndaj Toskës janë lëshuar gjashtë plumba, njëri prej të cilëve e ka qëlluar në kokë.

Ai ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Mësohet se 50 vjeçari u vra pak metra pasi doli nga dera e shtëpisë dhe po shoqëronte bashkëshorten për në punë, si çdo ditë. Gruaja e tij punone në një furrë buke. Rreth 12 kamera sigurie janë sekuestruar nga policia, të cilat mbulojnë gjithë zonën ku u vra Ahmet Toska si dhe rrugën që ka ndjekur autori.

Sipas Policisë, ka qenë një person ende i paidentifikuar ai që ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ahmet Toska, mëngjesin e sotëm, në orën 06.00 të mëngjesit.

Ai ka qenë i maskuar, ndërkohë bashkëshortja e të ndjerit ka dhënë dëshminë e saj në polici.

Në ndihmë të policisë atje kanë shkuar dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit.

Viktima nuk kishte precedentë penalë madje nga banorët njihej si një person i qetë, punëtor dhe pa probleme, çka e bën edhe më enigmatike vrasjen apo motivet që pritet të zbardhen nga një grup i posaçëm hetimor.

/NOA.al