Transmetuar më 06-10-2020, 11:00
Elmaz Sherifi

Aty Hajdari nxirrte shkumë, pa mbajtur maskë, për të maskuar marrëveshjen e “udhëtimit imagjinar të mandatit të tretë”, duke parashikuar “ferrin” e ustait të ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor me konsensusin e tyre…

Nga Elmaz Sherifi

Deputetja e “maxhorancës së listës” luajti dje në “podiumin e fjalës” aktin e fundit të komedisë politike. Ajo dje luajti në “podiumin e parolës”, si aktore e “udhëtimit imagjinar të mandatit të tretë”.

E xuni me forcë “podiumin e parolës” e nuk lëvizte prej “pronës së xanun” !

Edhe kryetari i “podiumit të parolës”, xhaxhi Gramoz, hoqi dore nga zbatimi i rregullores. E la Rudinën të parolonte, që populli të shihte te portreti i saj “politikanen e së ardhmes” dhe përfaqësuesen tipike të “maxhorancës së ferrave e drizave”.

Aty Hajdari nxirrte shkumë, pa mbajtur maske, për të maskuar marrëveshjen e “udhëtimit imagjinar të mandatit të tretë”, duke parashikuar “ferrin” e ustait të ndryshimit të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor me konsensusin e tyre.

Komedia politike e “podiumit të parolës” ngjasonte me Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit, të udhëtimit imagjinar në botën e përjetshme.

Komedia e luajtur dje te “podiumi i parolës” ka edhe një përputhje fantastike me moshën e komedianes dhe datën e zhvillimit të zgjedhjeve.

Udhëtimi imagjinar i Dantes, u krye në moshën 35-vjeçare dhe kaloi në tre mbretëritë e përjetshme, Ferri, Purgatori dhe Parajsa. Udhëtimi imagjinar mbaroi në 25 prill, kur do të bëhen edhe votime në Shqipëri. Them votime, se nuk do të ketë zgjedhje, pasi legjislacioni i zgjedhjeve është bërë sipas dëshirës së filozofit surelist të së drejtës.

Komedia politike kaloi nëpërmjet trekëndëshit Ramë, ambasadorja Lu dhe “maxhoranca e listës”.

Marrëveshjen e 5 qershorit e shkroi Ambasadorja Kim në “tokën e bekuar”, Rama e firmosi, duke akuzuar Bashën, Rudina e firmosi dhe e “njollosi”, dhe Pompeo e “vulosi”.

Të dy maxhorancat, e “Rilindjes” dhe e “listës”, sa e kuptuan se me atë marrëveshje shkonin në “ferr”, e sipas filozofisë së Aristotelit, do të kalonin nëpër nëntë rrathët e mëkatimit të tradhtisë së premtimeve, i hoqën maskat dhe dolën hapur në aleancë, për të udhëtuar drejt parajsës, “udhëtimit imagjinar të mandatit të tretë”.

Por, duke kaluar nëpër shtate rrathët e purgatorit, që sipas filozofisë së Platonit do pastroheshin nga mëkatimi i egoizmit, mendjemadhësisë, smirës, e grykësisë për pushtet e pasuri, po diskretitohen rëndë para opinionit.

Shpëtimin e kërkojnë te Beatricja e Dantes e cila u shërben duke i inkurajuar, se nuk e kanë shkelur marrëveshjen, e kanë “tejkaluar”, por mund të fluturojnë në “qiellin e parajsës” në mandatin e tretë, sepse “kodi i marrëveshjes” u jep pushtet të dy palëve, se nuk ka më, as koalicione parazgjedhore, as lista të hapura, kufiri kombëtar u ul si e deshën dhe le ta vendosin emrin e tyre në katër qarqe e të bëhen deputetë.

Prandaj grupet e thurje-shthurjeve dhe ferrave e drizave, mund të krijojnë parti me firmat e socialisteve e në fund të bëjnë “koalicionin e shpëtimit të Shqipërise”.

Të gjithë këta komikë “fituan”. Vetëm Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo u turpërua, pasi e përshëndeti marrëveshjen e 5 qershorit, e cila nuk u mor aspak në konsideratë!