Meta: Potenciali turistik i vendi është keqshfrytëzuar, të rikthejmë shpresën
Transmetuar më 27-09-2020, 12:01

Presidenti Ilir Meta ka shfrytëzuar Ditën Ndërkombëtare të Turizmit për të përcjellë edhe mesazhin se si ky sektor është keqpërdorur.

Kreu i shtetit shkruan se vendi ka potencial të jashtëzakonshëm, por që në shumë raste është keqshfrytëzuar.

Meta thotë se është momenti për reflektim dhe për të reflektuar, në mënyrë që ky sektor të marrë frymë.

Mesazhi i Metës:

E bekuar me det e brigje, male, alpe dhe bukuri natyrore mahnitëse, me një popull mikpritës e me vlera të spikatura kulturore, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por më së shumti të keqshfrytëzuar, të pazhvilluar dhe të fjetur.

Një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare e familjare, i goditur së fundmi dhe nga pasojat e rënda të COVID-19, meriton më shumë vëmendje për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave me pasuri natyrore të mrekullueshme dhe të gjithë Shqipërisë.

Turizmi nuk janë vetëm hotelet e luksit dhe resortet me 5 yje!

Turizëm në radhë të parë janë bujtinat mikpritëse familjare me gatime e prodhime bio në çdo stinë, që duhet të mbështeten nga shteti.

Turizëm është trashëgimia e çmuar kulturore, janë muzetë, kalatë e parqet arkeologjike që meritojnë të promovohen, si dhe sa duhet.

Turizëm janë brigjet, malet e lumenjtë përrallorë, e të gjitha pasuritë natyrore kombëtare, që në vend të gjenerojnë të ardhura për familjet shqiptare, keqshfrytëzohen nga koncensionarë.

Ndaj sot, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit është momenti për të reflektuar mbi domosdoshmërinë për t’i dhënë frymëmarrje këtij sektori jetik për ekonominë, nëpërmjet një plani konkret, të qartë dhe efikas, që do të frenonte edhe shpopullimin e vendit, duke rikthyer shpresën për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhme të sigurtë në këtë vend të bekuar nga Zoti.

Shqipëria nuk mund të ketë diell për disa!

Dielli do të ndriçojë për të gjithë shqiptarët.