“Dështim i rrezikshëm në javën e dytë të shkollës, mbi 160 mësues të infektuar”
Transmetuar më 26-09-2020, 13:11

“Me përfundimin e javës së dytë të vitit të ri shkollor, situata në shkolla në të gjithë vendin është përkeqësuar, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë as për të frenuar përhapjen e shpejtë të virusit, as për të rritur cilësinë e mësimdhënies”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga demokratja Albana Vokshi, e cila tha se duke patur si prioritet karrigen e pushtetit të vet personal, Edi Rama është i fokusuar tek riciklimi i mashtrimeve elektorale të viteve të shkuara dhe ka lënë mësuesit e nxënësit në mëshirë të fatit.

Ish-deputetja demokrate denoncoi se asnjë masë shtesë e marrë në shkolla për mbrojtjen e tyre.

“Nga informacionet që disponojmë nga të gjitha shkollat e vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit. Përkundrazi! Drejtuesit militantë në shkolla e mbajnë të fshehtë informacionin, me qëllim që të mbulojnë dështimin e partisë në pushtet me hapjen e shkollave pa asnjë plan”, u shpreh Vokshi.

Më tej tha se numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye:

Tamponimi është bërë pak ose aspak Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes.

Sipas saj, asnjë drejtues nuk bën transparencë e nuk informon stafin mësimor, prindërit e nxënësit duke krijuar një situatë shumë të rënduar psikologjike.

Më tej nënvizoi se mësuesit, nxënësit së bashku me familjarët janë në panik që shkaktohet më së shumti nga pasiguria, frika që vjen nga mungesa e informacionit.

Pas përfundimit të javës së dytë problemet kyçe janë 4 renditi Vokshi:

Nuk respektohet protokolli i sigurisë së shëndetit.

Në shkolla nuk ndiqet radha e veprimeve për të testuar çdo kontakt, karantinuar dhe shkëputur zinxhirin e infeksionit.

Kushtet higjieno-sanitare vazhdojnë të jenë të mjerueshme.

Në rreth 90% të shkollave mungojnë kushtet më elementare, si uji i rrjedhshëm dhe sapuni. Kjo situatë është edhe në Tiranë, megjithëse çmimi i ujit është rritur vit pas vit nga Erion Veliaj.

Dezinfektimi midis turneve nuk bëhet dhe nuk sigurohen as maska, as dezinfektantë.

Nxënësit dhe mësuesit i kane blerë vetë maskat dhe dizenfektantët, duke rritur kostot e familjeve, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka investuar asnjë qindarkë për sigurinë e tyre.

Mësuesit janë të mbingarkuar, duke rrezikuar uljen e cilësisë së mësimdhënies.

Qëndrimi me orë të zgjatura dhe të papaguara nga mësuesit po i çon ata drejt demotivimit. Për qeverinë e Edi Ramës mësuesit dhe nxënësit nuk janë prioritet, prandaj janë lënë në mëshirë të fatit.

Në emër të PD ajo u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave të mos u binden urdhrave të pushtetit Edi Ramës ne dëm të shëndetit të mësuesve, të nxënësve dhe në dëm të cilësisë mësimdhënies.

Në këtë linjë tha se është urgjencë kombëtare që qeveria të marrë disa masa elementare për të ruajtur shëndetin dhe cilësinë e mësimdhënies në shkolla:

Të bëhen testime masive serologjike e tamponim për të gjithë mësuesit dhe stafin ndihmës në çdo shkollë të vendit, në mënyrë që të qartësohet harta e përhapjes së COVID19 dhe shkëputjes së zinxhirit të infeksionit. Të mos lejojë zhvillimin e mësimit në ato shkolla, ku nuk përmbushet asnjë kusht higjieno sanitar. Qeveria të publikojë në ambientet e jashtme certifikatën e plotësimit të kushteve të përcaktuara në protokollin e sigurisë. Të sigurojë dezinfektim për ambientet shkollore dhe maska falas për çdo mësues, si dhe për nxënësit e familjeve në nevojë. Të kontraktojë mësues shtesë për të lehtësuar barrën e rëndë shkatërruese për mësuesit, si dhe të shpërblejë mësuesit për çdo orë shtesë. /a.y/noa.al

#LIVE – Albana Vokshi deklaratë për mediat

#LIVE – Albana Vokshi deklaratë për mediat

Publiée par Partia Demokratike e Shqipërisë sur Samedi 26 septembre 2020