EMRAT/ Ish-kampioni i Mundjes përzgjidhet mes 5 kandidatëve për deputetë në Kukës, Bardhi: Fitore dhe qeverisje pa lidhje me krimin
Transmetuar më 25-09-2020, 21:31

Anëtarësia e Partisë Demokratike në Kukës përzgjodhi 5 kandidatët, të cilët do të kalojnë në fazën tjetër të procesit, për të qenë pjesë e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Nga 1365 anëtarë të PD në Kukës votuan 949, të cilët zgjodhën 5 emra për në fazën tjetër, mes të cilëve figuron edhe ish-kampioni i mundjes, Sahit Prizreni.

Konfirmohet zyrtarisht mungesa e emrtitë  ish-ministrit të Brendshëm Flamur Noka, i cili do të kandidojë në Tiranë.

Emrat e përzgjedhur janë: Admir Sinamati, Arben Cejku, Ibrahim Bruka, Sahit Prizreni dhe Vjollca Vata.

Lidhur me procesin, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se “entuziasmi dhe pjesëmarrja masive, tregon se demokratët janë gati për ndryshimin që po vjen, janë gati ta shpëtojnë vendin nga kriza e thellë ku ndodhet prej qeverisjes së korruptuar dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës”.

“Diferenca mes nesh po bëhet çdo ditë e më e qartë”, tha Bardhi.

Me tej ish-deputeti demokrat shtoi pas votimit në Kukës se, “teksa rilindja dhe Edi Rama vendosën në fund me hile të propozojnë mbylljen e listave, pra ku elitat e saj të ndjenjura e të zhytura në përfitime e të kapura nga krimi, të mbijetojnë sërish, demokratët e hapën procesin duke përfshirë gjithë anëtarësinë që në nisje të përzgjedhjes së kandidatëve”.

“Ne kemi një plan për qytetarët,- tha Bardhi, – “për t’ua dhënë pushtetin atyre. Kjo duke nisur brenda familjes sonë. PD do të përfaqësohet me më të mirët, me kredenciale të larta e që kanë besimin e publikut”.

“Politikë dhe qeverisje pa lidhje me krimin, me personaliete me integritet. FITORE”, shprehu optimizmin e tij numri dy i PD-së.

Ndërkohë nga përzgjedhja e kandidaturave në Kukës është s’kualifikuar ish-kryebashkiaku Bashkim Shehu pasi ka qenë më i papëlqyeri nga anëtarësia në Kukës.

STATUSI NGA PD DEGA KUKËS

Përfundon procesi i votimit për konfirmimin e kandidatëve në Degën Kukës. Mirënjohje të thellë për pjesëmarrjen masive në këtë proces të anëtarëve të Partisë. Mirënjohje për grupin e punës për organizimin e një procesi model.

Në përfundim të dhënat e votimit janë si më poshtë:

Numri i anetareve me të drejtë vote: 1365 anëtarë

Pjesëmarrja në votime: 949 anëtarë ose 69,5 %

Anëtarët konfirmuan kandidatët e mëposhtëm, që vijonë procesin ne fazën tjetër:

ADMIR SINAMATI

ARBEN CEJKU

IBRAHIM BRUKA

SAHIT PRIZRENI

VJOLLCA VATA

Falenderojmë të gjithë kandidatët për qytetarinë dhe vlerat e treguara në këtë gatë të brendshme.

Procesi i brendshëm përfundoi! Demokratët e Kukësit janë bashkë dhe në aleancë edhe me qytetarët e ndershëm të Kukësit, do të mundin të keqen dhe do ti sigurojnë fitoren e thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit 2020.

/NOA.al