Transmetuar më 25-09-2020, 10:10
Pistoleta dhe lenda narkotike e sekuestruar

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Durrësit dhe Krujës dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, të kapur me armë, drogë dhe makinë të vjedhur.

Në vijim të kontrolleve, nga policia u arrestua në flagrancë Edmond Koçi, 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”.

Ndërkohë policia e Krujës arrestoi në flagrancë Sadik Leka, 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, T. (E.) Leka, 35 vjeç, D.(Y.) Leka, 37 vjeç dhe E. Leka, 26 vjeç, banues në Thumanë.

Gjatë kontrollit në banesën e Lekës, në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara kanabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Në vijim të kontrolleve, policia e Durrësit vuri në pranga Petrit Lazeri, 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte, të cilin e kishte marrë me qira, iu gjetën dy palë çelësa mjetesh.

Nga verifikimet e kryera, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 9 shtator dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Ndaj të dyshuarve, materialet iu referuan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al