Transmetuar më 23-09-2020, 21:54

Shtyhet për në datën 2 tetor mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila ishte parashikuar që të mbahej të premten me datën 25.09.2020.

Kjo zhvendosje e datës vjen si pasojë e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet po të premten.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se takimi i të premtes është shtyrë për datën 2 tetor, dhe se për këtë është dakordësuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

"Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes", shkruan Hoti.