Transmetuar më 23-09-2020, 17:50

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes shifrave akuzoi qeverinë “Rama”  se ka dështuar totalisht në dy mandate, mbi premtimet e pambajtura.

“Premtimet e Ramës si listat 100% te hapura!”, – tha Jorida Tabaku.

Ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës si dhe ish-zvministre e Integrimit, Jorida Tabaku, gjithashtu me një karrierë pedagogjike në Fakultetin Ekonomik, dha edhe disa shifra konkrete:

“30 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil vetëm brenda një viti në vendet e BE-së”.

“Rreth 100 mijë shqiptarë humbën vendin e punës nga muaji mars deri më sot”.

“61% e bizneseve kanë dalë pa fitim që nga muaji qershor”.

“Më shumë se 30% e qytetarëve ishte në kufijtë e varfërisë në 2018 dhe kjo shifër do rritet edhe më shumë sipas BB”.

Sipas Jorida Tabakut, qeveria socialiste e drejtuar nga Edi Rama, “ka 8 vjet që premton, ka 8 vjet që mashtron, ka 8 vjet që mohon realitetin e varfërisë në Shqipëri. Ka 8 vjet që mohon shqiptarët që enden dyerve të BE-së njësoj si sirianët që janë në luftë”.

“Për çdo prag zgjedhjesh i njëjti avaz. Premton për të gënjyer”, – u shpreh ajo.

“Por faktet janë e vërteta që nuk fshihet”, shtoi Tabaku në reagimin e  saj. – “Janë 100 mijë shqiptarë që kanë humbur vendin e punës. Me shume se 40% e shqiptarëve janë në skamje”.

– “Pas 8 vitesh shfaqet sërish duke bërë të njëjtat premtime, a thua se shqiptarët nuk dëgjojnë dhe nuk e provojnë në lëkurën e tyre varfërinë. Në vend të fjalëve dhe propagandës bajate qytetarët kanë sot nevojë për zgjidhje konkrete me një plan të qartë dhe afatgjatë zhvillimi dhe punësimi”.

“Shqipëria në punë është plani konkret i Partisë Demokratike që do të zbatohet menjëherë që ditën e parë në qeverisje”, – ”, u shpreh ish-deputetja demokrate dhe një ndër emrat më të rëndësishëm në selinë blu.

/NOA.al