Transmetuar më 23-09-2020, 15:58

Sipas Eurostat, Shqipëria rënditet mes vendeve si Siria, Afganistani, Iraku dhe Irani, sa i përket numrit të azilkërkuesve, në perëndim.

Situata për vendin tonë mund të konsiderohet edhe më dramatike, nëse llogaritet diferenca e popullsive mes Shqipërisë dhe vendeve të Lindjes së Mesme, përveç faktit se prej më shumë se një dekadë tre prej tyre janë në gjendje lufte.

Presidenti Ilir Meta në një reagim mbi këtë fenomen të njohur, por të pazakontë, tha se “Shqipëria nuk e meriton të renditet midis këtyre vendeve!”

“Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane!”, – u shpreh Meta.

Presidenti tha se Shqipëria po qeveriset në drejtim të gabuar, ndaj edhe bëri thirrje që të marrë fund kjo lloj politike.

“Mjaft me Drejtimin e Gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi”.

“Hapi i parë për rikthimin në Drejtimin e Duhur është respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj as një milimetër”.

“Të rikthejmë shpresën duke rikthyer sovranitetin në duart e popullit, me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE!”- mbylli mesazhin e tij Presidenti Ilir Meta.

/NOA.al