Transmetuar më 19-09-2020, 08:34

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump filloi një luftë kundër aplikacionit jashtëzakonisht të popullarizuar për ndarjen e videove, TikTok, këtë vit, duke përmendur shqetësime në lidhje me shkelje të mundshme të sigurisë së përdoruesve të saj. Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë qytetarët e tyre nga shkarkimi i aplikacionit kinez në pronësi TikTok, si dhe WeChat, nga 20 shtator. Rregullat e reja u botuan të Premten në faqen e internetit të Departamentit të Tregtisë të SHBA.

“Partia Komuniste e Kinës ka demonstruar mjetet dhe arsyetimin për përdorimin e këtyre aplikacioneve për të kërcënuar sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara”, tha Departamenti, duke argumentuar se ndalimet e reja do të siguronin mbrojtje më të madhe për përdoruesit amerikanë.

Reuters raportoi, duke cituar tre zyrtarë që kërkuan të mbeten anonimë, se Uashingtoni do të urdhërojë Apple, Google dhe kompani të tjera të heqin këto aplikacione nga platformat e tyre që mund të arrihen brenda vendit.

Përdoruesit e tanishëm të TikTok dhe WeChat nuk do të parandalohen të përdorin aplikacionet, raportuan zyrtarët, megjithatë ata nuk do të jenë në gjendje të instalojnë azhornime të reja.