DETAJE/ Personi që iu bë atentat sot në Tiranë, vëlla i Tonin Gjinit, vrarë një vit më parë
Transmetuar më 15-09-2020, 20:02

Shënjestra dhe personi që ka mbetur i plagosur në atentatin me eksploziv mbrëmjen e sotme në Tiranë mësohet se është Preng Gjini.

Preng Gjini është vëllai i Armando (Tonin) Gjinit, njohur në media si ‘ish-ushtari’ i Met Kananit, vrarë rreth një vit më parë në Rrëshen.

Armando Gjini u ekzekutua para syve të dy fëmijëve të tij në Rrëshen në gusht të vitit të shkuar.

Familja Gjini është e njohur për përfshirjen në trafikun e drogës.

Atentati ndaj Preng Gjinit, është ende pa një autor.

Pas atentatit të sotëm, i plagosuri është nxjerrë nga makina tip "Benz" dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Atentati dyshohet për hakmarrje. Familja Gjini mësohet se është në hasmëri me familjen Reçi në Rrëshen.

Dyshohet se shpërthimi ka qenë me minë të telekomanduar.

Edhe një kalimtar i plagosur 

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të tritolit te ish-nënstacioni i fundit i Tiranës së Re, te ura e Nishrakut, ka mbetur i plagosur në këmbë edhe një kalimtar.

Raportohet për një shtetas italian, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ai është marrë me ambulancë dhe është shoqëruar në spital.

/NOA.al