Brenda spitaleve të Kosovës njerëzit po vdesin, një e treta jashtë besojnë se COVID-19 është mashtrim
Transmetuar më 11-09-2020, 17:27

Brenda spitaleve të Kosovës, shtretërit po mbushen me të sëmurë dhe njerëzit po vdesin, ndërsa COVID-19 ka shpërthyer në një nga qoshet më të varfra të Evropës.

Por jashtë rrugëve, një e treta e popullsisë beson se pandemia është një mashtrim, sipas një sondazhi të fundit që ka tronditur qeverinë, e cila tani po përpiqet të trajtojë ‘murtajën’ e mosbesimit.

Kosova, një ish-provincë serbe me 1.8 milion banorë, ka regjistruar kohët e fundit disa nga nivelet më të larta të vdekjeve prej COVID-19 në Evropë – ndërsa vendi ka një nga sistemet më të dobëta të kujdesit shëndetësor.

Në Prishtinë, të afërm, shumë nga zonat rurale, i thanë AFP se ata prisnin me turne jashtë klinikës së sëmundjeve infektive, për të qenë afër të dashurve të tyre të sëmurë, dhe të gatshëm për të blerë ilaçe, pasi rezervat e spitalit ishin pothuajse të zbrazëta.

Në një përpjekje për të bindur publikun, mbi rrezikun e vërtetë, qeveria vendosi të lejojë mediat në pavijonet e spitalit, që ishin të mbyllura më parë, për të filmuar vuajtjet.

"Tregojuni atyre që nuk besojnë atë që keni parë këtu,” – i tha një kanali televiziv vendas, një i moshuar i rraskapitur, teksa po trajtohej në klinikën e sëmundjeve infektive, pas një beteje dy-javore me sëmundjen e frymëmarrjes.

“Mos bëni shaka me këtë. Si mundet që dikush të besojë një gënjeshtër se virusi nuk ekziston?" – u lut ai.

Edhe të tjerët që dikur kishin qenë në mesin e mosbesimtarëve tani i dinë rreziqet.

“Të them të drejtën, unë besoja se nuk ekzistonte. Tani, pas ferrit që kalova, jam i bindur dhe po i tregoj të gjithë kombit," – tha një grua e moshuar, e cila ishte trajtuar me terapi oksigjeni për javë të tëra.

Skeptikët e koronavirusit kanë fituar ndjekës të shumtë në të gjithë botën, nga Franca në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Serbinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut.

Videot e teorive të konspiracionit kanë arritur miliona shikime dhe vazhdojnë të përhapen në internet, pavarësisht përpjekjeve të rrjeteve sociale për të mbyllur dezinformimin.

Në Kosovë, një sondazhi i realizuar nga kompania e sondazhve “Pyper” zbuloi se një e treta e popullsisë nuk besonte se virusi ishte i vërtetë, ndërsa 61 përqind thanë që COVID-19 ishte "më pak i rrezikshëm sesa përshkruhet" nga autoritetet dhe media, sipas ‘CEO’-s së kompanisë, Ilir Krasniqi.

Skepticizmi është një problem i madh për qeverinë, ndërsa ajo përpiqet të zbatojë masat e vendosura në Kosovë për mospërhapjen e pandemisë, e cila kishte muajin e saj më vdekjeprurës deri në gusht me gati 300 vdekje – një numër më i lartë se të tre muajt e mëparshëm të marra së bashku.

Duke parë edhe zbulimin e "patolerueshëm" të sondazhit, qeveria e Kryeministrit Avdullah Hoti ka forcuar shtetrrethimin në qytete të nxehta, si dhe ka urdhëruar mbyllje pjeshme të restoranteve dhe lokaleve, dhe gjithashtu, ka ndaluar tubimet publike dhe ceremonitë fetare.

Në mes të gushtit, parlamenti miratoi gjithashtu një ligj të veçantë anti COVID-19 me ndëshkime të ashpra për ata që shkelin masat e sigurisë, duke përfshirë një gjobë prej 35 Euro për ata që nuk mbajnë  maskën, si dhe një gjobë prej 500 euro, për shkeljet e urdhrave të izolimit.

Kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, foli gjithashtu mbi problemin e mohuesve të virusit.

"Dëmi që ata i bëjnë shoqërisë është i madh. Keqinformimi i tyre nuk duhet të lihet pa u ndëshkuar," tha ajo.

Megjithatë, 25-vjeçari Mendim Hoxha, një dizajner në Gjilanin lindor, mbetet ende i pa bindur.

Në hyrje të zyrës së tij është një tabelë që thotë "këtu nuk nevojiten maska".

“Nuk e shoh kërcënimin nga pandemia,” – i tha ai AFP. – “Vdekjet nuk janë shkaktuar nga virusi, por nga çështje të tjera shëndetësore.”

Leonard Presheva, një banor 28-vjeçar i Prishtinës, këmbëngul se virusi nuk është më shumë se një grip normal.

“Në fillim ata thanë mbani distancën, vini maska ​​dhe doreza. Tani askujt nuk i intereson distanca dhe dorezat, por duan që ne të mbajmë maska, ​​në mënyrë që të na bllokojnë frymëmarrjen gjatë motit 40 gradë,” – i tha ai AFP.

Disa thonë se nuk është çudi të shohësh një skepticizëm të tillë, në një shoqëri, ku korrupsioni dhe një skenë e paqëndrueshme politike, kanë humbur besimin e publikut, mbi qeveritë për vite me rradhë.

"Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është e mbushur me teori konspirative, se kjo është vetëm në interes të qeverive, të fuqive të mëdha, të forcave të caktuara politike," – tha sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Në javën e parë pas hyrjes në fuqi të masave ndëshkuese, policia lëshoi ​​rreth 5,000 gjoba për mospërdorimin e maskës, ose mosrespektimin e masave të tjera parandaluese.

FOTO: Ekipi i disinfektimit në ambjentet e xhamisë së madhe të Prishtinës

/NOA.al