“PS dhe PD fajësojnë njëra-tjetrën, 44 milion Euro gjoba! Përse hesht prokuroria?” –  Nga Mentor Kikia
Transmetuar më 07-09-2020, 19:30

OPINION nga Mentor KIKIA

Shqipëria, dmth ne, do të paguajmë edhe 44 milion Euro nga taksat tona, një gjobë që do të shkojë për një kompani të huaj. Pra 44 milion Euro nuk do të bëhen as libra për fëmijët e varfër, as shkolla e spitale, as rrugë e parqe lodrash.

Mes qeverisë dhe opozitës ka nisur një ping-pong se kujt do ti ngecë “Derri maç”, pra faji për kontratën e prishur me kompaninë greke të rrugës Tiranë-Elbasan, “Aktor” që solli gjobën. Padyshim faji nuk do të gjendet as në konferencat e deklaratat e partive, as ne studiot e televizioneve.

PD thotë se Qeveria e PS ia ndërpreu kontratën kompanisë greke e ia dha klientit të vet.

Qeveria e PS thotë se Qeveria e PD e nënshkroi kontratën pa bërë studimin sizmik të tokës, e cila rrëshkiti duke sjellë kosto shtesë.

Në të dyja rastet ka një fajtor dhe mua nuk më intereson fare nëse fajtori është në qeveri apo në opozitë. Mua më intereson që fajtori të ndëshkohet dhe ato para të kthehen në arkën e shtetit.

Nuk më interesojnë deklaratat e PD-së dhe Qeverisë, por më intereson që prokuroria të hapë hetime dhe të çojë përgjegjësin para drejtësisë dhe ta detyrojë të paguajë faturën.

Boll me fajtorë pa emër, e para që zhduken në drejtim të paditur.

Tendera me shuma marramendëse që edhe kur sbulohen me shkelje, askush nuk ndëshkohet, Por vetëm fjalë, secila palë e gjen fajin tek tjetra: Edhe ti kështu ke bërë kur ishe në qeveri.

Dhe sërish askush nuk ndëshkohet.

Duam fajtorin në bankën e të akuzarve dhe kthimin e parave. Të tjerat janë lloqe.

Fotot nga rruga Tiranë-Elbasan.

/NOA.al