
Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek i njohur si ΟΜΟΝΟΙΑ, thotë se po e shijon faktin që qeveria aktuale e kryeministrit Edi Rama, po e mbështet zgjerimin grek me 12 milje detare në ujërat përreth Shqipërisë, duke mbajtur qëndrim pozitiv ndaj Athinës zyrtare.
"Konstatojmë me kënaqësi se vihet re korrespondim pozitiv dhe diferencim thelbësor nga pozicionet negative ngurruese që manifestonte qeveria në Shqipëri, duke kultivuar për pasojë klimë dyshimi", thuhet në një komunikim publik sot nga Saranda, OMONIA, raporton noa.al.
Dhe këtu vjen kërcënimi i organizatës: "Ruajtja e këtij refuzimi, të vetmes gjë që nuk i shërben është interesi i vetë shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Lë të ekspozuar vendin se u shërben objektiva të të tretëve – të trazovaçit oriental të sigurisë ndërkombëtare – se nuk e ka aftësinë të tregojë përkushtimin adekuat në parimet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, si parakushte këto për avancimin më tej të perspektivës europiane të integrimit".
OMONIA nuk ndalet këtu. Ajo flet dhe për marrëveshje duke synuar që pala greke të marrë atë që ka aspiruar që në marrëveshjen e anuluar në Shqipëri nga gjykata Kushtetuese.
"Me dialog mes qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë, Marrëveshja mundet të bëhet realitet i kapshëm, sipas parashikimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së detit posaçërisht, duke dëshmuar për pasojë se rikualifikimi i marrëdhënieve Shqiptaro- Greke përbën vullnet të shoqërisë, por edhe faktor për mirëqenien e popullit të Shqipërisë dhe për më tepër kontribut esencial në krijimin e stabilitetit dhe paqes në ambientin më të gjerë gjeostrategjik".

Siç shihet, deti që Greqia po tenton të marrë lag jugun e Shqipërisë
Sipas kësaj organizate, duke implementuar të drejtën e saj që buron nga rendi juridik dhe praktika ndërkombëtare, për zgjerimin e Ujërave Territoriale në Jon, Qeveria Greke, veç të tjerash sjell në orbitë dinamike edhe të gjithë çështjen e negociatave për arritjen e rregullimit integral të kufijve detarë me Shqipërinë.

Në këtë pikë OMONIA ka dhe një paralajmërim tjetër: "Manifestimi në këtë moment të të gjithë vullnetit pozitiv për përmbylljen e procedurave të definimit, ka për të izoluar më tej qendrat që kultivojnë klimë mosbesimi kundrejt Greqisë dhe helmojnë opinionin publik. Madje përbën kontribut të vyer në një moment kritik në çështjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, sepse tepron një vatër shtesë tensionesh dhe keqkuptimesh, ngaqë për shkak të veprimeve të Turqisë ekziston tanimë vatër e nxehtë konflikti në Egje dhe Mesdheun Lindor". /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





