Transmetuar më 26-08-2020, 18:01

I konsideruar si poeti i mjerimit, sot bëhet 82-vjet kur u nda në moshë fare të re nga jeta Millosh Gjergj Nikolla, i njohur si Migjeni.

Migjeni la një pasuri veprash për brezat që do të pasonin, në atë që ai e ka konsideruar si "bijtë e shekullit të ri", ndërsa Presidenti i Republikës ka lëshuar edhe një mesazh, lidhur me përvjetorin e tij.

Meta thotë se kjo thënie e tij mbetet kryesimbol edhe sot e kësaj dite.

"Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit…", u shpreh Meta ndër të tjera.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

"GRUSHTI MIGJENIAN NDAJ MALIT QË S’BZAN ËSHTË ENDE NJË KRYESIMBOL"

Në 82-vjetorin e kalimit në përjetësi të poetit kombëtar, Migjeni, vetëm një personalitet i madh, si i paharruari Moikom Zeqo, mund t’i analizonte kaq mjeshtërisht simbolikat e forta të kryeveprave të Tij:

“O, si nuk kam një grusht të fortë” – kjo thirrje e apostrofuar e Migjenit është e shumëkuptimshme.

Migjeni flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, prapambetje e mendësisë së gurëzuar…

Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëritën servilizmin ritual, duke përdhosur kështu vetveten.

Mali që s’bzan!

Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit…

Grushti Migjenian ndaj malit që s’bzan, është ende një kryesimbol.

Të plogëtit, le të vegjetojnë, në kalbësirën e tyre morale, kundërmuese, sulfurike, fosilizuese, vetëshkatërruese përfundimisht, fatalisht.

Duket sikur Migjeni nuk shkruan thjesht me fjalë. Shqyen kohërat. Kohërat e prapambetjes dhe të vonesave mendore. Konstrukton shpresën. Për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore".

/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd