Transmetuar më 24-08-2020, 17:48

Dalin detaje të reja mbi arrestimin e kapitenit të Manchester United, në një ishull grek.

Kapiteni Harry Maguire nuk e ka tepruar me alkoolin dhe nuk u përlesh me policinë, siç u raportua fillimisht, thonë mediat britanike.

Ai  u arrestua pasi u përpoq të mbronte motrën e tij nga një “biznesmen gangster shqiptar”, i cili e goditi motrën e tij me thikë në krah gjatë festimeve në një bar, në ishullin Grek të Mykonos.

Të paktën ky është versioni i tabloidit britanik "The Sun". Sidoqoftë, versioni duket se është një përpjekje për të pastruar imazhin e kapitenit të Manchester United, sesa historia e vërtetë e ngjarjes.

Burimi i tha "The Sun" se të enjten gjatë natës, Maguire dhe e dashura e tij Fern Hawkins ishin në një bar, ku ndodhej edhe motra e futbollistit, Daisy.

Një grup shqiptarësh, të identifikuar nga burimi si "bandë", arritën te vajza, dhe njëri prej tyre i foli asaj.

Por Daisy nuk iu përgjigj kërkesave të tij. Njëri, "biznesmeni gagnster",  mbante në dorë një "mjet të mprehtë metalik" dhe e goditi atë, ndërsa motra e Maguire u zbeh nga humbja e menjëhershme e gjakut.

Pastaj ndërhyri futbollisti, ku edhe filloi lufta mes tyre.

"Harry pa atë që ndodhi dhe shkoi për t’i kërkuar burrit (shqiptarit) shpjegim, por më pas gjërat shkuan edhe më keq," – i tha burimi medias britanike.

Pastaj ai vendosi të mos merrej më me ta dhe u largua. Ai donte të telefononte një taksi dhe të dilte prej andej.

Por më pas hyri në një debat me një oficer civil policie. Dhe mbi këtë akuzë, ai  u dërgua në komisariat.

Maguire, 27 vjeç, pjesën tjetër të natës e kaloi në paraburgim dhe u transferua në qendrën e paraburgimit të Siros, me traget të premten.

Ai më pas u la i liruar me kusht.

Maguire mohon akuzat ndaj tij, të cilat e përfshinin në sulm, fyerje dhe grushte me policin.

Mbrojtësi anglez dhe kapiteni i United u kthye në Angli të dielën. Gjyqi kundër tij fillon të martën, dhe nëse do të shpallet fajtor për të gjitha akuzat, mund të kalojë tre vjet pas hekurave.

Sigurisht, siç ndodh në shumicën e rasteve kur bëhet fjalë për emra të mëdhenj në botën e futbollit, Maguire pritet të marrë një dënim me kusht.

Por gjithsesi, versioni duket i pabesueshëm, përveç se ai mund të jetë konfliktuar me shqiptarë.

Është e pamundur që policia greke, të mos kishte ndaluar shqiptarët, nëse do të qëndronte versioni i dhënë në mediat britanike.

Deri tani nuk ka asnjë shqiptar të ndalur për ngjarjen, veç kapitenit të United, dhe duket se ai, në gjendje të dehur, ka nxitur dhe është konfliktuar me shqiptarët, por më pas edhe me policinë, në rrethana ende të paqarta.

/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd