Ekipi serb i Crvena Zvezdës ka mbërritur sot në Tiranë.
Lojtarët dhe stafi, nën masa të rrepta sigurie i janë drejtuar hotelit ku do të qëndrojnë para ndeshjes së turit të dytë kualfikues, në Champions League, përballë Tiranës.
Tirana do të përballet me ekipin serb, pas kualifikimit që siguroi një javë më parë përballë Dinamos së Tbilis, me shpresë se mund të arrijë një tjetër kualifikim historik.
Ndeshja do të luhet të martën në mbrëmje, në stadiumin tonë kombëtar.
Delegacioni i skuadrës serbe përbëhet nga rreth 50 persona.
Mes tyre ka edhe një kuzhinier, i cili do të ketë detyrën për të kontrolluar ushqimet.
Ato ndryshe nga çfarë ishte paralajmëruar nuk do të sillen nga Beogradi, por do të kontrollohen nga një ekip i specializuar i kuzhinierëve dhe mjekëve serbë, në hotelin e rezervuar të Tiranës.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, futbollistët, anëtarët e stafit si dhe drejtuesit e klubit serb do të kenë një kat të veçantë në hotel, sikurse është rezervuar një ashensor, i cili do të jetë në dispozicion vetëm për skuadrën e tyre, si dhe një kuzhinë ngrënie enkas për ta.
Për të mos patur ndonjë surprizë të pakëndshme, klubi serb ka kërkuar që të testohen për COVID-19 edhe shoferët shqiptarë që do t’i transportojnë drejt hotelit.
Crvena Zvezda do të kryejë stërvitjen e fundit në “Air Albania” gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa para fillimit të stërvitjes pritet që japë konferencë për shtyp trajneri Dejan Stankovic.
Lojtarët serbë nuk do të lejohen të dalin nga hoteli në bazë të protokollit të UEFA-s për të evituar infektimin nga covid-19.
Ndërkohë si çdo përballje tjetër futbolli mes ekipeve të dy vendeve, edhe kjo ndeshje ka marrë disi karakter nacionalist, por për shkak të mungesës së tifozëve, pritet që ajo të zhvillohet e qetë dhe në normalitet. /NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd