Transmetuar më 23-08-2020, 08:56

Tre vëllezër të një familjeje në Ferizaj, Ferat, Murat dhe Berat Ymeri, kanë ndërruar jetë brenda një muaji pasi nuk kanë mundur ta mposhtin Covid-19.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati, i cili ka pasur edhe lidhje familjare me tre vëllezërit e ndjerë, bëri publik lajmin, duke treguar rrezikun e madh të kësaj pandemie.

“Tre vëllezër, kushëri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur", tha ai.

"Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt. Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin".

"Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre. Pushoni të qetë kusho”, – shkrpo Hekuran Murati.

Kujtojmë këtu se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtunën ka raportuar për 9 persona të vdekur dhe 169 raste të reja me COVID-19, duke e çuar shifrën totale në 457, shifër kjo tepër e lartë dhe dramatike, krahasuar me popullsinë e Shqipërisë.

/NOA.al