Transmetuar më 22-08-2020, 17:45

Autoritetet shëndetësore njoftuan këto ditë nisjen e grumbullimit të gjakut përmes dhurimit nga të shëruarit pas prekjes nga koronavirusi COVID-19.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se nëse krijohet banka e gjakut me plazmë do të përfitojnë të gjithë pacientët e shtruar, por nëse plazmë nuk do të ketë me bollëk, atëherë do të përfitojnë vetëm personat që nuk janë në gjendje shumë të rëndë.

“Dua të them që me këtë rast i ftoj të gjithë qytetarët që janë shëruar nga Covid-19 të dhurojnë gjak pa hezitim.

Natyrisht ka protokolle të mirëcaktuara edhe për persona që mund dhe duhet tu ofrohet plazëm si një mjekim aletrnativ i cili përshpejton shërimin e pacientit. Bëhet fjalë për persona të shtruar në spital, për persona në gjendje nga e mesme në të rëndë.

Natyrisht edhe format e rënda, edhe personat që mund të jenë të intubuar, duhet dhe mund t’u ofrohet një shans për trajtimin me plazëm, por tek këta persona mundësia për të përfituar është pak më e vogël, tha z.Pipero pa sqaruar shkaqet. Megjithatë ai shtoi se edhe rasteve të rënda mund t’u jepet një shans.

Sa më shpejt të fillohet aq më mirë është, por jo te persona që janë në gjendje të mirë, pasi nuk ka arsye të përdoret, tha Pipero.

Duke u ndalur më gjatë në trajtimin me plazëm të pacientëve të infektuar me Covid-19, Pipero thotë se nga ky trajtim nuk mund të pritet ndonjë mrekulli.

Kjo pasi studimet ende nuk janë të plota, megjithëse janë optimiste, mbi teorinë se po u trajtove me plazmën e një të shëruari nga COVID-19 do të shërohesh medoemos.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd