Transmetuar më 21-08-2020, 22:52

OPINION nga Artan Fuga

Më kujtohet që dikur, aty nga vitet 60 dhe 70 ishte problem kur në shtëpitë tona në qytete vinin për vizitë të afërt ose miq nga fshati. E ka trajtuar këtë çështje edhe filmi “Kapedani”.

Nga njera anë gëzoheshim kur ata vinin sepse sillnin dashuri, miqësi, gëzim, çmalleshin njerëzit me njeri tjetrin. Edhe na sillnin ndonjë produkt fshati nga ekonomia familjare.

Mirëpo me kalimin e ditëve, vinte koha për të ikur. Edhe të zotët e shtëpisë i përcillnin me dashuri miqtë nga fshati, por ndoshta edhe me pak lehtësim. Po sikur miku nga fshati te dera e apartamentit të pendohej dhe të kthehej duke thënë qartazi fjalinë e tmerrshme: “E di ç’kam, po qendroj edhe nja dy javë te ju!” Të gjithë do të ishin lemerisur.

Jo më kot, disa krahina te ne kanë shprehjen: "Miku, është budalla!”, nuk dihet se kur vjen e kur ikën, tekat e tij duhen plotësuar, njësoj si të një fëmije apo të dikujt që ka probleme psikologjike të rënda.

E kemi shtruar ndonjëherë çështjen: Po sikur emigrantët të ktheheshin? Të thoshin: Tani, boll, u mërzitëm në vend të huaj dhe do të kthehemi!”

Atë ditë të 15 gushtit kur shihja rradhët e veturave të emigrantëve në kufi, m’u kujtua pikërisht skena kur miku nga fshati ishte duke kapërcyer pragun e shtëpisë për të ikur. Po sikur të kthehet? Atë ditë të 15 gushtit, kur askush fillimisht nuk merrej me fatin e emigrantëve për të kaluar kufirin, në fakt të gjithë autoritetet ishin të interesuar që ata të iknin!!!.

Po sikur t’u mbushet mendja dhe të thonë: “Ashtu? Nuk çan kokën ndokush për të na ndihmuar të ikim? Atëhere po kthehemi!”

/NOA.al